Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2015 ishte 104.534 duke u rritur me 22,7% krahasuar me vitin 2014. Sipas aktivitetit ekonomik, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë, zënë 43,1%, të dhëna këto nga anketa strukturore e Institutit të Statistikave.
Shtimi i bizneseve të reja të cilat më vonë në 2016 thuajse kanë kaluar në regjistrin pasiv u nxit nga aksioni i anti-informnalitet. Nga ky aksioni u nxit edhe formalizimi i vendeve të punës.
Rreth 64 mijë persona që punonin në të zezë u regjistruan në organet fiskale. Nga analiza e ndërmarrjeve sipas madhësisë rezulton se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar mbizotërojnë me 89,3% ku prodhuesit e shërbimeve zënë 80,3%. Në vitin 2015, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 64.550 të punësuar ose 17,4% krahasuar me 2014. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me +13,2 p.p, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me +4,2 p.p.
Shitjet neto në 2015 arritën vlerën 1.802 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,6% ndaj vitit 2014. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2015 përbëjnë 66,0% të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me +1,9 p.p në rritjen vjetore të këtij treguesi. Investimet u rritën me 14,9% në vitin 2015, ku investimet nga ndërmarrjet rezultuan në 208 miliardë lekë, në krahasim me 181 miliardë lekë në 2014.
Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara duke përbërë 61,8 % të investimeve gjithsej për 2015. Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, shprehin se shitjet neto për të punësuar, për vitin 2015 kanë pësuar rënie me 11,7 %, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve (17,4%) me një ritëm më të lartë sesa shitjet neto (3.6%).
Formalizohen dhe vendet e punës
Situata paraqitet e njëjtë për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve ku shitjet neto për të punësuar patën rënie përkatësisht me 5,8% dhe 14,9%. Rënia e këtij treguesi rezultoi nga ritmi më i lartë i rritjes së punësimit në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve (përkatësisht 11,4% dhe 21,0%) përkundrejt rritjes së shitjeve neto (me 5,0% dhe 2,9%).
Prodhimi është aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një ndërmarrjeje që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Për të studiuar efektivitetin e fuqisë punëtore tek ky aktivitet, llogaritet vlera e prodhimit për të punësuar.
Ky tregues për 2015 është 2.550 mijë lekë për të punësuar nga 2.793 mijë lekë për të punësuar rezultuar në 2014. Vlera e prodhimit për të punësuar është më i lartë tek prodhuesit e të mirave (3.908 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e shërbimeve (1.809 mijë lekë për të punësuar). Ndër treguesit makroekonomik të llogaritur është edhe vlera mesatare e investimeve të kryera për ndërmarrje. Ky tregues është ulur me 6,4% në 2015 krahasuar me 2014.