Forcat demokratike siriane të mbështetura nga trupat amerikanë njoftuan çlirimin e Baguz, bastion i fundit ende në kontroll të Shtetit Islamik.
Një zëdhënës tha në Twitter se “Kalifati” ishte mundur përfundimisht në Siri, disa orë pasi edhe presidenti amerikan e bëri një njoftim të tillë.
Aleanca e drejtuar nga kurdët nisi ofensivën përfundimtare kundër ISIS në fillim të muajit mars, ndërsa xhihadistët e mbetur ishin fshehur në fshatin e Baguz në lindje të Sirisë.
Forcat demokratike siriane u detyruan të ngadalësonin ofensivën, pasi u bë e ditur se një numër i madh civilësh gjendeshin atje. Bashkë me qytetarët u larguan edhe shumë luftëtarë të Shtetit Islamik por ata që mbetën ngritën rezistencë të fortë, duke përdorur atentatorë vetëvrasës dhe autobomba.
ISIS krijua në vitin 2006 dhe vazhdoi për 13 vite.
Në kulmin e tij, shteti Islamik kontrollonte 88 mijë km katrorë në Siri dhe Irak. Por pavarësisht humbjes së territorit, grupi konsiderohet ende si një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare. Presidenti amerikan shpalli mundjen e ISIS vitin e kaluar, duke njoftuar planet për tërheqjen e trupave amerikane.
Ky hap alarmoi aleatët dhe solli dorëheqjen e një sërë zyrtarëve të lartë.
Mustafa Bali, zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane, shkroi në Tuiter se fitorja ushtarake kundër ISIS-it tashmë është e plotë. Megjithatë, ai tha që nëpër Siri ka ende ekstremistë të shpërndarë, dhe misionet e tyre do të vazhdojnë derisa t’i kenë shfarosur plotësisht.