U zhvilluan mes tensionesh zgjedhjet lokale në Turqi, të parat qëkurse Rexhep Taip Erdogan u rizgjodh president me kompetenca të zgjeruara vitin e kaluar.
Dy persona u vranë dhe 1 tjetër u plagos në një qendër votimi në provincën e Malatjasë në juglindje të Turqisë.
Opozita tha se viktimat ishin mbështetës të saj, të cilët u qëlluan nga përfaqësues të partisë së presidentit Erdogan.
Nga Stambolli, Erdogan shprehu besimin tek fitorja e thellë, por tha se rasti do të hetohet paanshmërisht nga organet e drejtësisë. Megjithëse parashikohet fitore e partisë së tij, pritet që mbështetja popullore të pësojë rënie.
Partia e Erdoganit për Drejtësi dhe Zhvillim pritet të humbë dy bastionet kryesore si Stambollin dhe Ankaranë.
Në disfavor të tij këtë herë është recesioni ekonomik, i shkaktuar nga çrregullimet e monedhës kombëtare Lira që ka humbur 1/3 e vlerës. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 30%. Inflacioni ka arritur në 20% duke çuar drejt falimentit mijëra biznese. Papunësia është në 11% dhe 1 në 5 të rinj janë të papunë. Votimi nisi në 8 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 16:00 dhe rezultatet pritet të dalin pas orës 21 me orën lokale.