Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se ai bashkë me opozitën do të rrëzojë qeverinë “Rama” dhe do të ndryshojë sistemin.
Gjatë një takimi me qytetarët e Rrogozhinës, Basha shpalli veten kryeministër pasi tha se “unë vij si përfaqësuesi i mazhorancës së re shqiptare”.
“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar.
Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve.
Beteja jonë është betejë për të varrosur një herë e mirë fenomenin e Edi Ramës, fenomenin e politikanit batakçinj, politikanit që futet në xhepat tuaj për të pasuruar një grup njerëzish. Kjo do të parandalojë që asnjë njeri, asnjë grup dhe asnjë forcë politike të marrë peng demokracinë në Shqipëri. Beteja jonë do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit.
Drejtësia do të çojë në burg politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të jetë ndryshimi i parë i sistemit.
Ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm nuk do të caktohen më në mënyrë misterioze.
Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju. Ju do të jeni ata që do të përcaktoni me votë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e ardhshëm nuk do të jenë njerëz, që do ta lidhin fatin e tyre me kryeministrin e ardhshëm.
Unë vij nga mazhoranca e re e shqiptarëve dhe do ndryshoj sistemin. Do t’i jap fund Ramës”, tha Basha.