Institucioni i Komisionerit Publik ka kërkuar shkarkimin e Drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, sipas të cilit nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Komisioneri Publik kërkon që vendimi për Prelën të rishikohet nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Në pretendimet e Komisionerit Publik hidhen dyshime për disa transaksione bankare të padeklaruara nga Donika Prela.
“Referuar deklaratave periodike vjetore të subjektit të rivlerësimit, sipas nenit 32/5 të ligjit nr. 84/2016, deklaratës “vetting”, rezultateve të hetimit administrativ, akteve të administruara dhe përfundimeve të arritura nga Komisioni, Komisioneri Publik, në rastin konkret konstaton se subjekti i rivlerësimit edhe pas kalimit të barrës së provës nuk ka arritur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit, që në kuptim të nenit D, paragrafi 3, 5 i aneksit të Kushtetutës, do ta bënte atë subjekt të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, e për pasojë të sillte konfirmimin e saj në detyrë“, thekson Komisioneri Publik.
Me 5 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta rikonfirmojë në detyrë zonjën Prela, duke i cilësuar të pabaza akuzat e bëra në adresë të saj.
Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu nënshtrua hetimit bazuar në tre kritere vlerësimi, atë të pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Në lidhje me kriterin e pasurisë, Prelës iu konstatuan probleme me të ardhurat e bashkëshortit por që sipas sqarimit të bërë prej saj gjithçka është e justifikuar.