Mbrojtësi sllovak Milan Skriniar ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Ai ka një kontratë me Interin, por prej kohësh përflitet se do ta rinovojë atë. Gjithsesi, firmat ende nuk janë hedhur, ndaj dyshimet për të ardhmen e tij mbeten ende të shumta.
24-vjeçari, në sezonin e tijin të dytë me zikaltërit, shprehet: “Personalisht ende nuk kam fituar thuajse asgjë. Ndaj ka ardhur koha që edhe unë të fitoj diçka. Ndoshta mund të kem edhe një karrierë si ajo e patriotit tim Marek Hamsik, që qëndroi 12 vite te Napoli”.
“Jam gati që edhe unë të qëndroj për 15 vite tek Interi, por dua që të fitoj diçka në këto vite. Nuk dua të nxitohem për të ardhmen, pasi jam në një klub të madh. Inter ka kohë që nuk po fiton, por mund të rikthehet shumë shpejt ta bëjë këtë gjë dhe unë dua të jem aty kur të fitojmë”, tha Skriniar.