Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha në një deklaratë për mediat se “parodia” zgjedhore, siç e quajti ai, u refuzua edhe nga vetë mbështetësit e Partisë Socialiste.
“85% e votuesve refuzuan votimet moniste. Sot, Edi Ramën e braktisën edhe socialistët, pasi për të votuan më pak se sa në vitin 2015 dhe 2017. Votimi nën kontroll një partiak ishte një ngjarje që nuk ka ndodhur askund në Europë. Organizata e Rilindjes votonte vetë, numëronte vetë dhe certifikonte vetë, një parodi”, tha Basha. “Por përsëri pati manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, përdorim të burimeve publike”, tha kreu i PD.
Basha shtoi se në votime morën pjesë vetëm administrata shtetërore, e detyruar nga Partia Socialiste.
“Mbi 150 000 punonjës publik janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë bashkë me familjarët e tyre. Numri real i votuesve tregon asgjë më shumë se sa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar siç e kemi dëgjuar nga përgjimet e “Bild” që dalin të votojnë. Do të çlirohemi shumë shpejt nga ky makth”, shtoi kreu i PD, duke shtuar në fund se “jemi sjellë si europianë dhe kemi bojkotuar liderin lindor”.