Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ranë dakord sot për përshpejtimin e procesit të jetësimit të 4 lirive të Bashkimit Europian në hapësirën e Ballkanit Perëndimor; lëvizje e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.
Përballë indiferencës europiane, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut vendosën të vihen në lëvizje, për të kthyer në praktikë çfarë nga procesi i Berlinit ka mbetur thjeshtë në letër.
“Le ta themi siç është realiteti. Ne nuk jemi prioriteti i Bashkimit Europian, ndërkohë që nuk mund të presim që të bëhemi pjesë e BE, për çuar përpara gjëra që kemi dakordësuar me njëri-tjetrin me të gjashtë vendet. Ndërkohë që familja e madhe e BE ka problemet e veta të brendshme, ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës”, tha Rama.
Presidenti i Serbisë, i vetmi nga këto tre shtete që ka hapur negociatat, mori përsipër ngushëllimin e dy të ftuarve të tij në takimin trepalësh të Novi Sadit. “Dua t’u them qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri se, edhe nëse BE nuk i hap negociatat këtë herë, nuk është faji i tyre. Ata duhet të dinë që e meritojnë një gjë të tillë. Por BE ka arsyet e veta të brendshme. Megjithatë na takon ne që të merremi me çështjet thelbësore”, tha Vucic.
“Besoj që kjo do të krijojë atë që shpresojmë të gjithë, një Ballkan që do të respektohet më shumë nga rajonet e tjera të botës. Kemi mjaft potencial te pashfrytëzuar, kjo do të bëjë që të kemi edhe më shumë respekt nga Bashkimi Europian”, u shpreh Zaev.
Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Presidenti i Serbisë, dolën me një deklaratë të përbashkët ku angazhohen për krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik brenda vitit 2021. Dokumenti gjithashtu thekson se nisma është e hapur për të gjitha vendet e rajonit, përfshi Kosovën.
“Është një hap me synimin për një proces gjithëpërfshirës. Nuk ka asnjë veto nga ana e Serbisë për askënd dhe asgjë. Ky është një moment kapërcimi historik”, u shpreh Rama.
“Fakti që kemi probleme me Kosovën, që dy vendet e tjera e kanë njohur atë ndërse Serbia jo, kjo është një çështje tjetër. Kur bëhet fjalë për qarkullimin e njerëzve dhe kapitalit është me rëndësi kyçe për ne. Ndaj këmbëngulëm për heqjen e taksës. Presim që të gjithë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë. Nëse duam ta krijojmë vërtetë një gjë të tillë deri më 2021 njerëzit duhet të përpiqen që t’i lënë mënjanë emocionet e tyre”, tha Vucic.
“Në deklaratë thuhet se nisma është e hapur për këdo. Natyrisht fakti pse jemi mbledhur këtu të tre është edhe për shkak të situatës se Kosova është duke krijuar Qeverinë, ndërkohë që Bosnja po kështu është në një situatë të ngjashme me Qeverinë. Mali i Zi pastaj do të bashkohet”, tha Zaev.
Rama, Vucic dhe Zaev janë dakordësuar që takimin e radhës ta mbajnë më 10 nëntor në Ohër, ndërsa tjetrin pas një muaji në Shqipëri.
Si dhe kur lindi ideja e minishengenit Ballkanik?
Në fakt, kjo ide dhe të gjitha gjërat të cilat po arrihen sot, janë një vullnet dhe dakordësi e gjashtë vendeve të Ballkanit të para dy viteve.
Ishte korriku i vitit 2017, ku liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron zhvilluan Samitin e Triestes. E pikërisht në këtë Samit, të gjashtë vendet ranë dakord për lëvizjen e lirë mes tyre.
Pra, për të gjitha çështjet që folën sot Rama-Vuçiç-Zaev, janë çështje për të cilat është rënë dakord mes gjashtë vendeve të Ballkanit që në korrik të 2017-ës.