Luka Modric me fanellën e Interit. Fantazia e fundit nga merkato që ishte një çështje e nxehtë edhe për atë të verës rikthehet aktuale falë të përditshmes spanjolle AS, që shkruan se fituesi i Topit të Artë kontrata e të cilit me klubin merengues skadon në vitin 2020 ka refuzuar rinovimin me Los Blancos të ofruar nga klubi spanjoll dhe njëherazi është duke vlerësuar ofertën që ka mbërritur për të nga zikaltërit e Interit, për një nënshkrim dy-vjeçar me një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.
Pikërisht në tabloidin iberik mund të lexohet ky lajm i bujshem që krijon jehonë mediatike, sipas të cilit mesfushori kroat e ka refuzuar ofertën e parë të Realit.
Në të vërtetë klubi milanez tentoi edhe në verë të arrinte shërbimet e 33-vjeçarit që lë pas një vit plot arritje dhe në referencë sjellim deklaratën e pak kohëve më parë të drejtorit sportiv Piero Ausilio që shprehej: “Ëndërruam gjatë verës por nuk ja dolëm, nëse me pyesni për një tentativë të re mund të them se në futboll ndodh gjithçka.”
Po sipas AS, Interi nuk është duke e menduar dy herë dhe ka nisur nga puna me ofertën konkrete edhe pse tek klubi spanjoll nuk duken shumë të shqetësuar nga një lëvizje e tillë pasi janë ende besimplotë se do të arrijnë të mbyllin sërish marrëveshjen me kroatin duke rinovuar kontratën mes tyre. Mbetet për t’u parë se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve.