Nga Çapajev Gjokutaj
“Ma shpifin këto festat e fundvitit, më shkruan një mik në FB. Zallamahi e madhe dhe aktrim kolektiv. Shtiremi sikur festojmë lindjen e Krishtit dhe ardhjen e një viti të ri, dy dukuri që lidhen me shpirtin dhe mendjen. Realisht tejngopemi me haje, me pije dhe dhurata, si për të vërtetuar se jemi bij të denjë të konsumerizmit, që priret të mbizotërojë kohën tonë”.
Dhe ka të drejtë. Teprimet materialiste, të çuara në ekstrem nga interesa të tregut, po e zbehin dukshëm qasjen shpirtërore. Gjithsesi, kjo prirje tjetërsimi nuk ka arritur të zhbëjë magjinë e festave të fundvitit, magji që i ka rrënjët sa në fakte natyrore e historike, aq edhe në psikologjinë e njeriut.
2.
Si rrënjë të këtyre festave kanë shërbyer dy fakte natyrore, solstici dimëror dhe vegjetacioni. Në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit dita ‘mund’ natën, fillon t’i marrë minutat e para, të zgjatë kohën e dritës dhe të shkurtojë atë të errësirës. Po në këtë periudhë të vitit nis buthtimi fillestar i sytheve të drurëve.
Me pak fjalë, në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit nis të projektohet në embrion pranvera e ardhshme, ringjallja e madhe e natyrës. Mbase këto dy dukuri natyrore, solstici dimëror dhe fillimi sado vagëll i vegjetacionit, kanë krijuar një strukturë ngashënjyese, gati-gati të përjetshme. Ndaj njerëzimi nuk ka reshtur t’i kthejë në festa. Fillimisht në festë të diellit të pamposhtur, pastaj në një festival romak motmoti, pastaj në datën e lindjes së Jezu Krishtit, pastaj në festën e vitit të ri etj.
Duket sikur njerëzimi në të gjitha kohët ka ndjekur një praktikë të pandryshueshme. Ka synuar që këto dy dukuri natyrore t’i shfrytëzojë në dobi të idelogjive të ‘momentit’, ta veshë natyroren dhe paganen me rrobat e të shenjtës, sakrales.
Është me interes të vesh re se pothuajse po kaq konstante ka qenë edhe prirja e kundërt, një trend desakralizues që synon të flakë veshjet fetare dhe t’i kthejë këto festa në origjinat pagane, sidomos përmes një sinkretizmi të thellë kulturor dhe fetar. Në bredhin e vitit të ri gjejmë rrënjët e adhurimit arkaik për vegjetacionin e përhershëm si simbol i jetës dhe përjetësisë.
Te Santa Klausi vijnë e përzihen imazhe kohësh dhe religjionesh të ndryshme, herë një murg nordik e herë një dervish nga Azia e Vogël. Për të mos thënë se veshjet e Santa-s në reklamat globale të ditëve tona, vështirë se kanë ndonjë gjurmë nga rrobat e murgut mesjetar, asociohen fund e majë me Coca-Colën.
Prirja që në këtë periudhë të vitit të festohet është universale, në kuptimin që aplikohet në qytetërime dhe religjione kohësh të ndryshme. Por këtu të bën përshtypje diçka. Si solstici, ashtu dhe vegjetacioni nuk bien aq shumë në sy, janë thuajse embrionale dhe të padukshme.
Ato që shihen me sy dhe ndihen me lëkurë, janë acari i dimrit dhe shkretimi i natyrës. Por civilizimet e kanë parë të arsyeshme të evidentojnë dhe t’i grishin njerëzit të festojnë të padukshmen, të marrin gjallëri nga e ardhmja për të përballuar të tashmen e vështirë.
3.
E gjithë kjo është bërë e mundshme ngaqë janë shfrytëzuar e shfrytëzohen disa tipare psikologjike të njeriut, tipare që lidhen jo aq me kultura të veçanta, por me specien humane, me nevoja dhe shprehi që kanë krijuar ligjet e evolucionit. Dëshira që në palcën e dimrit të kujtosh pranverën, lidhet me prirjen universale të mendjes njerëzore që të operojë me të kundërta.
Po tha ‘e ëmbël’, çdokush vetiu dhe në çast sjell në mend edhe të hidhurën. Vetëm më pas, po qe se ka nge dhe dëshirë, mund të kujtojë edhe të kripurën, të thartën etj. Po kështu ndodh me: e bardhë – e zezë, njeri – kafshë, mik – armik etj., etj.
Në pamje të parë duket se bashkëshoqërimi i të kundërtave është pjellë strukturash logjike dhe gjuhësore. Është në natyrën e tyre të funksionojnë kështu dhe pikë. Por ka më shumë gjasë që bashkëshoqërimi i të kundërtave të burojë nga zakone evolucionare. Në luftën e gjatë për ekzistencë, njeriu e ka pasur mbase të nevojshme të mendojë dhe ndiejë edhe të kundërtën.
Ky zakon e ndihmon në çdo rast. Në gëzime të mëdha e bën të kujtojë edhe rrezikun e të jetë gati për çdo të papritur. Në hidhërime të thella, prania e fshehtë, potenciale e gëzimit, davarit sadokudo dhimbjen dhe ndihmon përballimin me fatkeqësinë.
Është kaq i përkryer ky mekanizëm sa jo rrallë të shtyn nga dilema: Kemi të bëjmë me harmoni të krijuar nga seleksionimi i gjatë apo të ardhur nga ndonjë burim hyjnor? Por mund të jetë edhe një produkt, thjesht psikologjik. I tmerruar nga kaosi dhe rastësitë e panumërta, njeriu bën autoterapi duke krijuar struktura logjike e të qëndrueshme.
Siç shihet, arsyet mund të jenë të ndryshme, por në çdo rast një gjë mbetet e pandryshuar, njeriu prej natyre operon me të kundërta, ndaj është krejt e zakonshme që në palcën e dimrit të projektojë imazhet e pranverës dhe të festojë për to.
4.
Kjo puna e të kundërtave më kujton një tjetër mik, prej vitesh në emigracion. Hera herës më dërgon vjersha a ese të shkurtëra.
“Kur afrohen festat e fundvitit, më shkruante pardje , ndihem i gëzuar dhe i lehtë, si të isha fëmijë.
Zaten gjithë jetën e kam patur brenda vetes fëmijën. Më ftonte për lojë e çamarrokllëqe. Por gjithnjë e kam ndrydhur e fshehur.
Je burrë e burrit s’i ka hije të bëjë si kalama, më qortonte gjyshi dhe prishte buzët me përçmim. Dhe unë, burri, isha a s’isha 12 vjeç. Një variant i Gjinos.
Fëmija mbeti brenda meje edhe kur erdha në moshën e burrit. Rrinte aty e më grishte të isha lojcak e kurioz, i çiltër e gjithë trille.
Por unë i dhashë karar të bëhesha i përmbajtur e disi i zymtë. Se kolegët dhe shefi më donin serioz e të bindur. Se gruaja donte burrë e fëmijët më tërhiqnin frerin: Boll, o bā, mos bëj si kalama!
Tani që u moshova, ndjej mall më të madh për fëmijën. Por edhe i ndruhem si djalli temianit, se njerëzia do thonë: Rrodhi dhe ky, ishte burrë i mirë i shkreti!
Kur afrojnë festat e fundvitit, përfundon miku, ngazëllimi i përgjithshëm përzihet me trishtimin për fëmijën që dergjet brenda meje. Dhe më vjen të pyes: Ç’i hyn në thes tjetrit në se unë jam i çiltër a i mbyllur, kurioz a indiferent, komik a turivarur, ëndërrimtar a skeptik?”
Kështu shkruante miku nga larg, si për të vërtetuar se edhe këto lloj trishtimesh janë pjesë e festave, madje përmes kontrastit shtojnë magjinë e tyre.
5.
Por magjia ka mbase edhe një burim tjetër. Festat e fundvitit, në thelb janë festa të shpresës dhe ringjalljes, ndaj natyrshëm njerëzimi i ka lidhur dhe, sidomos sot, i lidh me fëmijët. Thuajse gjithçka, nga dekoret te marrëdhëniet, vjen dhe përshtatet me psikologjinë e fëmijëve.
Të duket se gjatë këtyre ditëve endet në ajër një tis përralle, që të bën t’i ikësh moshës dhe të ndihesh sadopak i mitur. Janë festa të konceptuara me fëmijë dhe për fëmijët. Besimtarët e krishterë festojnë lindjen e Jezuit, foshnjës që rrezaton mirësi qiellore dhe na e bën më të shtrenjtë çdo fëmijë.
Santa Klausi, pranëvenë me Babagjyshin e Vitit të Ri, i ndjellin fëmijët në një botë përrallash, plot udhëtime qiellore dhe thasë dhuratash. Kurse ne, të rriturit, na nxisin të marrim pjesë në lojën e festës, të sillemi edhe si të pjekur, edhe si kalamaj.
Të jesh dhe të mos jesh vetja, të ndiesh nevojë për të përcjellë dashuri dhe të mira te tjetri, të ndezësh zjarrin e ngazëllimit në palcë të dimrit, t’u ikësh konvencioneve dhe të komunikosh me çiltërsi fëmije… Mbase të gjitha këto shkundin mbi festat e fundvitit jo borë, por magji.