Bota Plani i Trump për Lindjen e Mesme: Dy shtete, Jerusalemi kryeqytet i...

Plani i Trump për Lindjen e Mesme: Dy shtete, Jerusalemi kryeqytet i Izraelit

Presidenti amerikan Donald Trump bëri sot publik planin e paqes në Lindjen e Mesme duke bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete.

Plani i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme parashikon Jerusalemin Lindor si kryeqytet palestinez dhe hapjen e ambasadës amerikane atje.

Trump u zotua se asnjë palestinez nuk do të largohej duke thënë se ai kishte bërë “shumë” për Izraelin, por edhe se duhej të ishte i drejtë edhe me palestinezët.

“Është shumë e arsyeshme që duhet të bëj shumë për palestinezët…, përndryshe nuk do të ishte e drejtë”, tha ai.

Jerusalemi, “kryeqyteti i pandarë” i Izraelit

Trump thotë se Jerusalemi do të mbetet “kryeqyteti i pandarë” i Izraelit sipas planit të tij të Lindjes së Mesme.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se plani i tij i Lindjes së Mesme për të çuar palestinezët drejt shtetësisë do të përfshinte stimuj ekonomikë siç janë dyfishimi i rritjes ekonomike dhe ulja e papunësisë.

Trump gjithashtu tha se territori që ai do të ndajë për një shtet palestinez, nuk do të zhvillohej nga Izraeli për katër vjet.

“Nëse ata e bëjnë këtë, do të funksionojë”, tha Trump.

Presidenti Trump u ka bërë thirrje kombeve me shumicë myslimane që të mbështesin planin e tij për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.

“Ka ardhur koha që bota myslimane të rregullojë gabimin e bërë në vitin 1948”, tha Trump duke iu referuar refuzimit për të njohur Izraelin.

“Amerika është e gatshme të punojë me të gjitha palët”, theksoi ai duke shtuar se kishte marrë mbështetje nga e gjithë bota dhe se disa shtete të Gjirit kishin dërguar ambasadorët e tyre në Shtëpinë e Bardhë me rastin e zbulimit të këtij plani.

Protestat palestineze

Përpara njoftimit të planit për paqe në Lindjen e Mesme, Trump ka zhvilluar takime me Netanjahun dhe udhëheqësin e opozitës izraelite Benny Gantz për t’i njohur ata me përmbajtjen e tij.

Netanjahu e ka cilësuar planin si “mundësia e shekullit që nuk duhet humbur”. Gantz e quajti atë një “moment historik të rëndësishëm”.

Një zëdhënës i Netanjahut tha se kryeministri izraelit do të nisej drejt Moskës të mërkurën për të njohur Presidentin rus Vladimir Putin mbi propozimin.

Ndërkohë të martën me mijëra palestinezë demonstruan kundër planit amerikan, disa orë përpara publikimit të tij në një ceremoni në Uashington.