Politika A do i dekretojë zgjedhjet lokale dhe parlamentare në një ditë? Flet...

A do i dekretojë zgjedhjet lokale dhe parlamentare në një ditë? Flet Meta

Largimi i Dvoranit, Meta: Vendim i vonuar, ruan integritetin e institucioneve të drejtësisë

Presidenti Ilir Meta komentoi këtë të premte vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që largoi nga detyra në Gjykatën e Lartë Ardian Dvoranin.

“Qëndrimi i Presidentit ka qenë dhe mbetet qëndrimi i Kushtetues dhe ligjit, që kanë qenë shumë të qarta. Vendimi i djeshëm në vlerësimin tim është i vonuar, por sidoqoftë është pozitiv. E vetmja mundësi për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë”, tha Meta.

“Për mua nuk kanë qenë të rëndësishëm individët. Natyrisht legjitimiteti i tyre është shumë i rëndësishëm. Për mua vendimtare ka qenë dhe mbetet respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve që janë bërë në respekt të saj”.

Më tej, Meta tha se për dekretimin e datës së zgjedhjeve do veprojë në zbatim të Kushtetutës.

Ai u pyet nga gazetarët nëse do t’i dekretojë në një ditë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare.

“Mendoj që pyetja është interesante, por përgjigja është e qartë. Presidenti do të veprojë në raport me Kushtetutën, dhe jo si ai do të dëshironte të vepronte me logjikën normale të ngjarjeve apo të zhvillimeve.

E kam thënë që për mua edhe zgjedhjet e përgjithshme edhe vendore duhet të ishin mbajtur dje, por natyrisht unë do të jem tepër i vëmendshëm në respektimin e kushtetutës dhe detyrimeve të mia vetëm kushtetuese dhe ligjore”, u përgjigj Meta.

Ndërsa për 4 bashkitë e mbetura pa kryetar bashkie nga zgjedhjet e kaluara, Meta thotë se s’ka marrë një vendim për të dekretuar një datë tjetër, pasi nuk ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese për këtë.