Kryesore A do ta dekretojë zgjatjen e Vetingut, Meta: Ndoshta nuk ma sjellin...

A do ta dekretojë zgjatjen e Vetingut, Meta: Ndoshta nuk ma sjellin fare

Presidenti Ilir Meta nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do të dekretojë ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e komisioneve të Vetingut.

Në një intervistë për Ylli Rakipin, Meta bëri ironi se ndoshta nuk ia çojnë fare atij për firmë.

“Nuk dëshiroj të komentoj diçka që nuk ka ardhur apo ndoshta nuk vjen, të mos futemi në çështje procedurale. S’është zbardhur se këta dhe falsifikojnë. Dua t’ju them. Ky proces ishte parashikuar”, tha Meta që sakaq këmbënguli se nuk është bërë asnjëherë pengesë e reformës në drejtësi.

“Dështimi i Reformës në Drejtësi nuk ka ardhur kurrë nga Ilir Meta. Fakti që sot nuk kemi një përgjigje nga Prokuroria se çfarë ka ndodhur me kallëzimin penal të Presidentit për falsifikimin e provave te Kuvendit te depozituara ne Gjykatën Kushtetuese, sigurisht që tregon se kjo reformë ka dështuar”, tha Meta.

Kreu i shtetit nuk i kurseu akuzat edhe për kreun e PD-së, Lulzim Basha.

“Çdo humbje e Lulzim Bashës, ai e shpall si fitore. Lulzim Basha ka përgjegjësi të madhe në këtë vend, ai hodhi ne erë pluralizmin politik në këtë vend. Ai dogji mandatet dhe i dorëzoi të gjitha institucionet e pavarura të Edi Rama. Bojkotoi reformën në drejtësi dhe i dorëzoi edhe pushtetin vendor, duke mos pasur opozita asnjë këshilltar në të gjithë Bashkitë e vendit”, tha Meta.