Opinione A do të hapen më gropa në Tiranë dhe Durrës?

A do të hapen më gropa në Tiranë dhe Durrës?

Nga Lutfi Dervishi

Vendimi për të pezulluar lejet e reja të ndërtimit në Tiranë dhe Durrës është për t’u përshëndetur, por pyetja është: a do të hapen më gropa në Tiranë dhe Durrës për kompanitë që kanë marrë leje?

Tërmeti 26 nëntorit nuk nxorri në dritë vetëm korrupsionin, babëzinë dhe lemerinë e disa ndërtuesve, por edhe faktin që ka mijëra apartamente të pa shitura si në Tiranë ashtu edhe në Durrës.

Pra nuk është kërkesë – oferta që ka çuar në shumëfishimin e lejeve të ndërtimit, se përndryshe kjo do të reflektohej tek rritja e kredisë në banka, gjë që nuk ka ndodhur.

Tundimi për të marrë para nga taksa e infrastrukturës duhet të ketë marrë një mësim nga 26 nëntori!

Në kryeqytet ka më shumë betoniere se taksi dhe nëse godinat e larta që po ngrihen do t’i rezistojnë tërmeteve të ardhshme ato nuk do të mund t’i rezistojnë “flluskës” së ndërtimit. Apartamentet që nuk do t’i blejë kush do t’i paguajmë të gjithë.

Është koha për të mos hapur më gropa më në Tiranë dhe Durrës të paktën për një dekadë. Ndërtimi nuk është model i qëndrueshëm zhvillimi dhe mund të kthehet në një minë me sahat për ekonominë.

Ne nuk e dime se kur do të kemi tërmetin e radhës, por ajo po shohim çdo ditë “tërmetet” që po lartësohen para syve tanë.

Është koha për të marrë një vendim për “gropat” që kënaqin babëzinë e pak njerëzve dhe thithin brenda tyre interesin publik.