Kryesore A do të shpërthejë lufta SHBA-Iran? Ja ku dhe si mund të...

A do të shpërthejë lufta SHBA-Iran? Ja ku dhe si mund të sulmojë Teherani

Mëngjesin e kaloi siç e kishte programuar, një shëtitje me familjen në gurët antikë të Akropolit. Është fjala për kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu që mëngjesin e vrasjes së Qassem Soleimanit nga amerikanët ishte për një vizitë në Athinë për të firmosur marrëveshjen e gazit natyral me grekët dhe qipriotët. Ai la të nënkuptonte se do të qëndronte gjithë fundjavën në Athinë. Në mënyrë për ti treguar publikut se Izraeli nuk ka lidhje me vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani. Netanyahu përshëndeti “kurajën” Donald Trump, dhe për pjesën tjetër qëndroi në heshtje.

Pas diversionit taktiko-turistik, ai fluturoi menjëherë mbi Mesdhe dhe mbajti një mbledhje urgjente në Tel Aviv me ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë. Izraelitët e dinë se do të jenë ndër objektiva e mundshme të Iranit pas vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani.

Si dhe ku njerëzit e komandantit Soleimanit do të veprojnë për t’u hakmarrë është pak a shumë e vendosur sipas hartës që gjenerali po kërkonte ta rivizatonte për Lindjen e Mesme, atë me gjysmën hënën shite që kalon përmes Irakut, Jemenit, Sirisë dhe Libanit.

E nëse një skenar i tillë do të ndodhte vërtet, ku do të godiste më së pari Irani?

Një prej mundësive kryesore është që fushëbeteja e një përballjeje të madhe SHBA-Iran të jetë kryeqyteti i Irakut, Bagdadi. Liderët iranianë, sipas të përditshmes izraelite Haaretz, në këtë pikë, me gjasë do të heqin dorë nga kujdesi që kanë treguar deri tani. “Për shkak të humbjeve që patën nga lufta me Irakun në kohën e Sadam Huseinit, krerët e regjimit të ajatollahëve e kanë shmangur përplasjen frontale me armiqtë, dhe kanë zhvilluar një mënyrë të sofistikuar të një arti asimetrik lufte”, shkruan Anshel Pfeffer në gazetën Haaretz, duke shtuar se kjo gjë mund të ndryshojë.

Sipas Amos Harel, përgjigja e Iranit, ndaj vrasjes së njeriut të dytë më të fuqishëm në vend do të zgjasë e do të mbërrijë në disa fronte të ndryshme.

Harta e ndikimit mes SHBA dhe Iranit ne Lindjen e Mesme

Të tjerë analistë, duke u mbështetur në episode të së shkuarës, mendojnë se ajatollahët janë të shokuar në këtë moment, dhe do të duhet kohë të mbledhin veten e të organizohen.

Kështu kur u vra në 2008-ën në Damask, ai që ishte atëherë koka ushtarake e Hezbollahut, Imad Mugniyeh, organizata libaneze e mbështetur nga iranianët, akuzoi Izraelin dhe u betua për shpagim. Hakmarrja nuk erdhi shpejt, por plot katër vjet më vonë në formën e sulmit të 2012-ës ndaj një autobusi më turistë izraelitë në Bullgari. Ndërkohë në ngushticën e Hormuzit, ku Irani i ka goditur dhe në të kaluarën interesat amerikane, është një situatë alarmi. Në shënjestër mund të përfundojnë edhe diplomatë e ushtarë amerikanë, teksa nuk përjashtohet mundësia që Irani të vërë në lëvizje dhe besnikët e tij në Liban ose të godasë në zonat pranë lartësive Golan, në të njëjtën mënyrë siç vepruan grupet rebele Huthi në Jemen.