Extra A është Estonia vendi më i nënvlerësuar në Europë dhe pse duhet...

A është Estonia vendi më i nënvlerësuar në Europë dhe pse duhet ta vizitoni

Talin, Estoni

Kryeqyteti i Estonisë, Talini, është shpallur “Kryeqyteti i Gjelbër Europian” për vitin 2023, por sa dini në të vërtetë për këtë vend të vogël baltik?

Për shembull, a e dini se Estonia ka pesë stinë gjatë vitit? Por, si mund të duket stina e pestë dhe në ç’pjesë të vitit është ajo?

Dhe më e rëndësishmja, si ka arritur Estonia që të ketë një nga qytetet me pjerrësinë më të madhe në botë, duke u krahasuar madje edhe me Pizën?

Për të mësuar më shumë se pse Estonia duhet të jetë në listën tuaj të udhëtimeve, këtu janë disa nga faktet më të çuditshme dhe të mrekullueshme rreth këtij vendi enigmatik të Europës.

Estonia është një vend i mrekullueshëm për nomadët dixhitalë dhe adhuruesit e teknologjisë

Në Estoni ndodhen më shumë biznese start-up për frymë sesa në Silicon Valley të Amerikës. Me mega-kompani të internetit, të tilla si Skype, të cilat krijohen në këtë vend, nuk është çudi që Wired e ka cilësuar Estoninë si shoqërinë më të avancuar dixhitale në botë.

Në fakt, Estonia gjithashtu është vlerësuar si një nga vendet që ofron lidhjen më të mirë me internetin në botë, duke e bërë kështu atë një vend të preferuar për njerëzit që zgjedhin të punojnë në distancë.

Nëpërmjet programit të E-Residence që ofron ky vend, nomadët dixhitalë mund të marrin një identitet dixhital që lëshohet nga qeveria, duke fituar akses te shërbimet e Estonisë dhe te mjedisi i biznesit në këtë vend.

Pra, nëse po kërkoni të largoheni nga vendi juaj për pak kohë, por ende dëshironi të jeni të lidhur me të gjithë jetën tuaj, atëherë Estonia është vendi i duhur.

A e dini se Estonia ka më shumë se 2,000 ishuj që mund të eksploroni?

E kufizuar me detin Baltik në anën e saj veriore dhe perëndimore, në Estoni ndodhet një mori ishujsh, secili prej të cilëve ka hijeshinë dhe karakteristikat e tij të veçanta.

Një nga komunitetet më intriguese të këtyre ishujve është ai i Kihnu, i cili ndodhet vetëm një udhëtim të shkurtër me traget larg nga Pwrnu. I cilësuar shpesh si shtëpia e marinarëve dhe e peshkatarëve, banorët këtu ia kushtojnë jetën e tyre tërësisht oqeanit. Burrat kalojnë pjesën më të madhe të kohës në det dhe kështu, gratë sundojnë ishullin, pothuajse sipas një sistemi matriarkat.

Kërkoni për arinjtë në Estoni

Për shumë prej nesh, thjesht mendimi për të qenë diku afër arinjve të egër është disi i frikshëm, por njëkohësisht edhe mjaft emocionues.

Estonia është vendi me popullsinë më të madhe të këtyre specieve në të gjithë Europën dhe arinjtë nëna bashkë me këlyshët e tyre shihen zakonisht gjatë muajve të pranverës e të verës.

Kërkoni dhe shijoni ushqimet për të mësuar më shumë rreth kulturës së kulinarisë estoneze

Duke pasur botën e egër shumë pranë, kërkimi i ushqimit në natyrë është diçka e zakonshme për kuzhinën estoneze e cila vihet re si te restorantet e nivelit të lartë, ashtu edhe në kuzhinën tradicionale të një shtëpie estoneze.

Për çdo person të apasionuar pas kërkimit të ushqimeve në natyrë, ka shumë ture hiking të cilat organizohen nga persona ekspertë në kërkimin e ushqimit të shëndetshëm vendas që rritet në natyrë. Ata do të ndajnë me ju përvojën e tyre lokale se ku mund të gjenden ushqimet më të mira, çfarë të zgjidhni dhe si të ruani produktet gjatë dimrit.

Cili është sezoni i pestë i Estonisë?

Mes dimrit dhe pranverës, Estonia kalon një stinë të lagësht si asnjë vend tjetër.

Me një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit kur shkrihet bora e dimrit, ky sezon karakterizohet nga përmbytje masive, ku banorët përdorin varkat dhe kanoet si mjete transporti. Vizitorët mund ta shijojnë këtë fenomen edhe me varkë në Parkun Kombëtar Soomaa.

Parku Kombëtar Soomaa

Një event i veçantë i këtij sezoni të pestë të çuditshëm mund të shihet në Pusin e Shtrigës të Tuhala (Tuhala Witch’s Well), në parkun ekologjik Nabala-Tuhala.

Pusi i Shtrigës të Tuhala

Çdo vit, pusi me një thellësi prej 2.4 metrash del nga shtrati i tij, duke krijuar një prurje të madhe prej 100 litrash në sekondë, një skenë e cila magjeps të gjithë banorët.

Kulla e pjerrët e Tartu

Ashtu si kulla e pjerrët e Pizës, Muzeu i Artit në Tartu, i cili ndodhet në shtëpinë që meriton të quhet “e pjerrët”, e pati këtë pasojë si rezultat i themeleve të dobëta.

Muzeu i Artit në Tartu

E ndërtuar në vitin 1793 në qytetin e dytë më të madh të Estonisë, fillimisht nën pronësinë e një familjeje fisnike, kjo ndërtesë filloi të fundosej dalëngadalë. Për fat të mirë, pas një projekti të madh restaurimi, ajo shpëtoi dhe u bë vendndodhja e koleksionit mbresëlënës të artit të Tartu.