Kosova “Alarmante. Mbetëm edhe pa Shqipërinë!”

“Alarmante. Mbetëm edhe pa Shqipërinë!”

Opozita e Kosovës ka reaguar ashpër pas vendimit për anulimin e mbledhjes së dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që do të mbahej ditën e sotme në Gjakovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi, e cilësoi alarmante situatën në të cilën ndodhet vendit.

“Alarmuese! Në kohën kur të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, ne kemi nevojë për Shqipërinë më shumë se kurrë”, shkroi Krasniqi.

Teksa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi këtë vendim një lajm të keq për shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri, Luginë, Maqedoni e Mal të Zi.

Ai tha se, Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë.

“Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, shkroi në rrjetet sociale Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK, rrugëtimi përplasës me Perëndimin i Kurtit, rrezikon vetë shtetësinë e Republikës.

“Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik”, përfundoi Abdixhiku.

Një ditë më parë kryeministri Rama u shpreh në një komunikim të jashtëzakonshëm me gazetarët se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, takimi mes dy qeverive nuk mund të mbahej në formatin e parashikuar.