Kosova Albin Kurti: Marrëveshja finale me Serbinë mund të arrihet gjatë këtij mandati

Albin Kurti: Marrëveshja finale me Serbinë mund të arrihet gjatë këtij mandati

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është e pritshme që një marrëveshje finale me Serbinë të arrihet gjatë mandatit të tij, por përsëriti se nuk mund të ketë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër.

“Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë (marrëveshja finale), por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, Joe Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Serbia”, tha Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti thotë se është i gatshëm për këtë proces, por shton se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.

“Ne duhet të shohim së pari se si po shkojnë këto bisedimet kësaj jave ndërmjet dy kryenegociatorëve. Në njërën anë është zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi, në anën tjetër është përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë (Petar Petkoviq) dhe më pastaj do të mund të themi se cila është perspektiva e një takimi të ardhshëm, me ç’rast natyrisht se duhet të dihet edhe cili është synimi i një takimi të tillë”, tha Kurti.

Gjatë intervistës, Kurti tha se është i shqetësuar për “militarizimin e Serbisë” dhe se sa shumë po shpenzon Serbia për ushtrinë e saj.

“Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtri sesa pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor marrë së bashku. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë për ushtri sa shpenzon Serbia si e vetme. Ajo këtë nuk po e bën për Hungarinë e Rumaninë dhe ky militarizim i Serbisë është shumë brengosës për ne”, tha Kurti.

Kryeministri komentoi edhe zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën në Kosovë, ku partia e tij Vetëvendosje përfundoi me udhëheqjen në vetëm 4 komuna nga 38.

Kurti thotë se nuk mendon se ka pasur ndëshkim nga votuesit, por mund të ketë pasur “lëshime nga ana e strukturave të partisë”.

“Ne kemi pritur që do të kemi rezultat më të mirë dhe, rrjedhimisht, rezultati nuk është i kënaqshëm. Tani po e bëjmë një lloj analize të brendshme për defektet strukturore dhe organizative, të cilat me siguri që janë shkak i rezultatit të pakënaqshëm”, tha ndër tjerash Kurti.