Kryesore Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Kongresi kthen mbrapsht Kathleen Ann Kavalec

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Kongresi kthen mbrapsht Kathleen Ann Kavalec

Bllokohet procesi emërimit të ambasadorit të SHBA në Shqipëri. Kongresi Amerikan i kthen mbrapsht presidentit Donald Trump kandidaturën e Kathleen Ann Kavalec në postin e ambasadores së SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.
Njoftimi bëhet nga faqja online e Kongresit Amerikan, ku është vendosur kandidatura t’i rikthehet presidentit, sipas dispozitat të nenit XXXI, pika 6 të Rregullores së Senatit. Kandidatura e Kavalec duket se nuk është shqyrtuar nga Senati dhe për shkak të kohës së kaluar i është kthyer Presidentit.
Vendimi është marrë më 3 janar. Sipas kësaj pike, presidentit Trump i lind e drejta që të riparaqesë këtë kandidaturë sërish për ambasadore të SHBA.

Nominimi i Kavalec për pozicionin e Ambasadores amerikane në Shqipëri mbërriti në Senat në 9 korrik 2018. Kandidatura e saj mbeti në shqyrtim nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë dhe nuk kaloi në votim.

Kathleen Ann Kavalec njihet si një diplomate karriere, me një përvojë rreth 30-vjeçare si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

Kathleen Ann Kavalec që nga vitit 2015 shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Punëve Ruse, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA-ve në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore për Ndihmë në Byronë Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtim dhe Stabilizim.

Kavalec flet rrjedhshëm gjuhët frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze. Departamenti Amerikan i Shtetit e pati vlerësuar kandidaturën e Kavalec. “Lidershipi i saj i fortë dhe aftësitë e politikëbërjes, të zhvilluara gjatë më shumë se tridhjetë viteve të shërbimit në pesë vende jashtë shtetit dhe në Uashington, duke punuar me pothuajse çdo Departament dhe agjenci, e bëjnë atë një kandidat të shkëlqyeshëm për Ambasadorin e SHBA në Shqipëri”, do të shprehej DASH sa i përket paraqitjes së kësaj kandidature.

Ambasada Amerikane në Tiranë, pas ikjes së Donald Lu me një detyrë tjetër si ambasador i SHBA në Kirgistan, drejtohet nga e Ngarkuara me Punë, Leyla Moses-Ones.