Bota Amerika goditet nga një tjetër “pandemi”, protestat detyrojnë lokalet dhe restorantet të...

Amerika goditet nga një tjetër “pandemi”, protestat detyrojnë lokalet dhe restorantet të mbyllen

Protestat për afroamerikanin e vrarë nga policia kanë ndezur Amerikën, e cila këto ditë po kalon një moment të vështirë. “Washington Post” raporton se vendi po përballet me një tjetër “pandemi”, pasi për shkak të protestave lokalet dhe restorantet janë detyruar të mbyllen, ndërsa pronarët po qëndrojnë në godina për t’i mbrojtur.

Në Kaliforni, një sipërmarrëse thotë se fqinjët i mbrojtën biznesin duke qëndruar zgjuar përgjatë gjithë natës, ndërkohë që përballen me një tjetër ‘pandemi’ përsa i përket të ardhurave.

“Po qëndrojmë pas dritareve”, -thotë ajo. “Po ulen shitjet çdo ditë. Koronavirusi ka dhënë efektet e veta, tani po humbasin akoma më shumë.”

Skenat e dhunës mes protestuesve dhe policisë kanë krijuar kaos në të gjithë vendin. Në shumë vende, jo vetëm në Kaliforni, por edhe në New York, Philadelphia dhe Minneapolis, bizneset janë me xhama të thyer. Sakaq shumë biznese janë detyruar të mbyllin dyert pasi nuk duan të pësojnë dëmtime, në një kohë kur akoma nuk e kanë marrë veten nga pandemia e koronavirusit.