Sport Ancelotti, favoriti kryesor për pankinën e Real Madrid

Ancelotti, favoriti kryesor për pankinën e Real Madrid

Real Madrid vazhdon të bëjë vlerësimet e duhura për të gjetur pasuesin e Zinedine Zidane, i larguar nga “Los Blancos” në përfundim të sezonit. Sipas informacioneve që vijnë nga Spanja, në listën e preferencave të presidentit Florentino Perez nuk është as Antonio Conte, as Raul Gonzalez Blanco.

Për momentin, favorit numër një Carlo Ancelottit. Sipas “Cadena Ser” Florentino Perez po studion mundësinë për rikthimin në skuadrën e kryeqytetit spanjoll trajnerin e njohur italian, tashmë në krye të Evertonit, me të cilin ka nisur kontaktet.

Conte, në momentin kur shpalli “divorcin” me Interin, u konsiderua favoriti numër një për stolin “merengues”, por kërkesat e tij të ekzagjeruara sa i përket përforcimeve që duheshin bërë si dhe stili i tij i lojës, larg filozofisë së Realit, e detyruan Florentino Perezin të ndryshojë kurs. Presidenti i klubit mbretëror nuk dëshiron të rrezikojë me një trajner që është fanatik i skemave të tij dhe që mund të shkaktojë përplasje në dhomat e zhveshjes.

Këto janë dy arsyet kryesore që e kanë shtyrë Realin të heqë dorë nga trajneri puljez, duke iu kthyer pistës “Ancelotti”. Carletto e njeh shumë mirë ambientin e Realit, pasi i ka drejtuar “Los Blancos” në periudhën 2013-2015 dhe mbahet mend si njeriu i “La Décimas”, Championsit të 10-të.