Aktualitet Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin, detyrim paraqitjeje për Pandeli...

Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin, detyrim paraqitjeje për Pandeli Kokaveshin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Fredi Belerin, ndërsa ka vendosur detyrim paraqitjeje për Pandeli Kokaveshin.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës nuk është paraqitur në seancë, por është përfaqësuar nga avokatët e tij të cilët kërkuan një masë më të butë sigurie.

Gjatë seancës, avokatët kanë depozituar edhe prova të reja përsa i përket gjendjes shëndetësore të dy personave të dyshuar. Kokaveshi përveç raporteve mjekësore kërkoi ndryshim mase edhe për shkak të fëmijës së mitur.

Pas daljes nga gjykata avokati i Kokaveshit, Marsel Zhupa tha se në gjykatë kishin dorëzuar prova të reja sa i përket gjendjes së tij shëndetësore. Ai bëre me dije se një vit më parë ka bërë transplant zemre dhe se ai duhet të jetë në kontakt me mjekun që i ka bërë operacionin.

Ndërsa avokatët e Fredi Belerit insistojnë që nuk ka prova.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në datën 8 Maj me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave.

Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Për arrestimin e tij ka reaguar disa herë Athina zyrtare.