Aktualitet Apeli lë në arrest shtëpie ish-zv.ministren, Voda: Nuk kam kryer ndonjë shkelje...

Apeli lë në arrest shtëpie ish-zv.ministren, Voda: Nuk kam kryer ndonjë shkelje ligjore

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie ndaj ish-zv.ministres Rovena Voda dhe sekseres Majlinda Hasani, ndërsa seanca për Florida Beun do të mbahet më datë 10 gusht.

Përmes avokatit të saj, Voda ka deklaruar se nuk ka kryer ndonjë shkelje, por ka respektuar detyrën dhe ligjin.

“Nuk kam kryer ndonjë shkelje ligjore apo ushtrim ndikimi. Kam respektuar në mënyrë rigoroze ligjin në ushtrimin e detyrës. Nuk ekzistojnë kushtet për caktimin e masës. Gjykata e Shkalles së Pare ka vlerësuar apriori vetëm kërkesën e prokurorisë. Është i gabuar qëndrimi që rreziku për të shkatërruar provat apo për t’u larguar është prezumuar. Në çdo rast duhet të vërtetohen të gjitha pretendimet e prokurorisë për këto fakte e rrethana”.

Voda ankimoi në Apel masën e sigurisë me pretendimin se nuk ekzistojnë kushtet ligjore.

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy persona, me qëllim punësimin e Florida Beut.