Kryesore “Mos të hanë bar”, Berisha: PD duhet t’i kërkojë ambasadores që të...

“Mos të hanë bar”, Berisha: PD duhet t’i kërkojë ambasadores që të kërkojë ndjesë

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat është ndalur sërish tek deklarata e ambasadores Yuri Kim që bëri pas takimit me Lulzim Bashën gjatë javës së kaluar.

Berisha tha se Kim duhet të kërkojë falje dhe tha se PD duhet t’i kërkojë të njëjtën gjë ambasadores. Më tej tha se PD duhet të jetë e hapur për bashkëpunim me diplomaten, pasi është një parti pro perëndimore.

“PD është dhe do të mbetet e hapur si një parti properëndimore dhe proevropiane. Mendoj se deklaratat që bëri ambasadorja e që bëri në oborrin e PD është deklarata më skandaloze që ka bërë një ambasador në Shqipëri.

Me barin të kuptohemi. Unë i kërkova që të kërkonte ndjesë për atë që tha. Dhe PD duhet t’i kërkoj që ambasadorja të kërkojë ndjesë për atë që ka thënë dhe bashkëpunimi mbetet i hapur gjithmonë”, tha Berisha.

Ballkani i Hapur, Berisha: Nismë destabilizuese, do të përfundojë si flakë kashte

Ish-kryeministri Berisha foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e quajti nismë destabilizuese për një rajon delikat politikisht.

“Garantoj komunitetin ndërkombëtar se Ballkani i Hapur është nismë destabilizuese sepse Ballkani është delikat politikisht dhe nuk ka nevojë që të nxisim kundërshtira apo përçarje. Këta kanë nisur që në Novi Sad me dogmën e kamionit që pret 1100 vjet. Askush nuk është kundër lëvizjes së lirë të mallrave, por vetë Presidenti Donald Trump i rishqyrtoi një nga një traktatet tregtare sepse ato duhen bërë mbi bazën e modelimit të shkëmbimit të mallrave. Nëse Serbia subvencionon 50 euro për lopë dhe Shqipëria nuk subvencionon as 50 cent, vetëkuptohet që qumështi në Serbi del shumë më i lirë dhe fermeri i Lushnjes nuk përballet dot kurrë me fermerin serb”, tha Berisha.

“Pra, gjithçka duhet bërë me kuota dhe modelim. Siç e bëjnë këta, kjo nismë do të përfundojë si flakë kashte”, shtoi Berisha.