Kryesore Apeli rrëzon Berishën për vulën, PD pa logo në zgjedhjet e 14...

Apeli rrëzon Berishën për vulën, PD pa logo në zgjedhjet e 14 Majit

Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha pengohet për të dytën herë të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me logon dhe vulën e saj zyrtare.

Gjykata e Apelit vendosi që çështja të kthehet për rigjykim në Shkallën e parë me një trup tjetër gjykues, siç kishte kërkuar përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibeajt.

Kjo situatë thellon më tej krizën për legjitimitet brenda demokratëve. Me këtë vendim deri më tani vula i ngelet sërish grupimit të Enkelejd Alibeajt të mbështetur nga Lulzim Basha. Ndërsa grupimi i Foltores me në krye Sali Berishën nuk mund të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet lokale.

“Ditën e hënë do të regjistrohemi në KQZ për zgjedhje. Të gjitha organet e PD-së kanë legjitimitet tani”, u shpreh përfaqësuesi i Enkelejd Alibeajt në fund të procesit.

Gjyqi nisi paraditen e kësaj të premteje rreth orës 11:00, ndërsa paralelisht me procesin u zhvillua edhe protesta e demokratëve në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe para kryeministrisë. Berisha zgjodhi të mos e sulmojë gjykatën nga protesta, por tha se “revolucioni ynë do e fshijë nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin e lirinë e shqiptarëve”.

Në seancë, përfaqësuesit ligjorë të Berishës i kërkuan trupit gjykues të mos e njohë Enkelejd Alibeajn si palë në proces dhe të lërë në fuqi vendimin e 25 Marsit.

“Gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha Ivi Kaso në gjykatë duke mbrojtur grupimin e Berishës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, duke kërkuar prishjen e vendimit të parë.

“Lulzim Basha bëri kërkesë në Gjykatë dhe tha jam palë e interesuar. Dhe në atë moment gjyqtari Agron Zhukri duhet t’a pushonte çështjen”, tha avokati Indrit Sefa në mbrojtje të interesave të Enkelejd Alibeajt.