Kryesore Apeli çoi çështjen në rigjykim, Bylykbashi: Gjykata nën presion nga Rama, vendim...

Apeli çoi çështjen në rigjykim, Bylykbashi: Gjykata nën presion nga Rama, vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet

Përfaqësuesi i grupimit Berisha në PD, Oerd Bylykbashi tha se vendimi për dërgimin në rigjykim i çështjes së drejtimit të PD, ishte marrë nën presionin e Edi Ramës.

“Nuk ka asnjë ekuivok. Vendim i marrë në presion të Ramës, presion që ishte dhe sot në sallë. Është vendim për përjashtim të opozitës nga zgjedhjet, është vendim që haptazi ka thyer çdo rregull që deri sot ka vendosur jurisprudenca duke pranuar ankimin e një pale që nuk përbën as minorancë në PD”, tha ai.

Ndërsa Endrit Sefa, avokati i palës së Alibeajt, tha se të hënën, PD do të regjistrohet në KQZ. “PD ka organet legjitime të saj. Palët duhet të reflektojnë”, tha ai.

Më herët, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të dërgojë në rigjykim në Shkallë të Parë çështjen për drejtimin e Partisë Demokratike. Gjykata pranoi kështu një prej kërkesave të grupimit Alibeaj, që kishte kërkuar ose vendim për rrëzimin vendimit të Shkallës së Parë, ose rikthim për rigjykim.

Ndërkohë, grupimi Berisha kishte kërkuar që të mos legjitimohej ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj.