Kosova Arrestohet një prej organizatorëve të sulmeve ndaj KFOR-it në veri të Kosovës,...

Arrestohet një prej organizatorëve të sulmeve ndaj KFOR-it në veri të Kosovës, plagosen 3 policë

Një shpërthim është regjistruar rreth mesditës në zonën e Mitrovicës së Veriut në Kosovë, gjë që ka bërë që sirenat e alarmit të jehojnë në të gjithë qytetin.

Menjëherë pas alarmit qindra serbë kanë nisur të grumbullohen, teksa raportohet se bëhet fjalë për një operacion të policisë së Kosovës, për të arrestuar një nga personazhet kryesorë të dhunës në veri ndaj forcave të KFOR.

Policia bën me dije se pas operacionit është bërë i mundur arrestimi i serbit, Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit “Mbrojtja Civile”.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, shkruan ministri Zveçla.

Më tej, ministri bën me dije se gjatë arrestimit zyrtarët e Policisë janë sulmuar sërish, ku për pasojë 3 prej tyre kanë mbetur të lënduar.