Aktualitet Arrestohet zyrtari i Policisë Rrugore, mori para për patentën e bllokuar

Arrestohet zyrtari i Policisë Rrugore, mori para për patentën e bllokuar

Një zyrtar i lartë i Policisë Rrugore është arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe marrjes së ryshfetit.

Bëhet fjalë për specialistin e administrimit të dokumenteve dhe anëtarit të OASH, Alkid Ndreu, i cili mendohet se i ka kthyer patentën e bllokuar për 3 muaj një shtetasje, pasi kishte marrë prej saj një sasi parash.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për këtë rast korrupsioni është arrestuar dhe E.C. për ushtrim të ndikimit të paligjshëm si dhe është proceduar shtetasja B.D. të cilës i ishte bllokuar patenta për një shkelje të kryer.

Shtetasja B.D. kishte arritur të merrte patentën, e cila ishte e bllokuar nga komisioni me afat 3 mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e ryshfetit tek personat e arrestuar.

Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, shtetasi E.C., i cili duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë Alkid Ndreu.