Bota Ata që janë të infektuar duhet të vetëkarantinohen për 28 ditë: Pse...

Ata që janë të infektuar duhet të vetëkarantinohen për 28 ditë: Pse mori këtë masë Italia?

Rajoni i Lombardisë dha vendimin për të zgjatur periudhën e vetëkarantinimit të detyrueshëm të atyre personave që janë të infektuar, nga 14 ditë në 28 ditë.

Vendimi u njoftua nga i ngarkuari i Shëndetësisë në Lombardi, Giulio Gallera, i cili tha se kjo masë do të ketë një ndikim të rëndësishëm për rifillimin e jetës në rajon.

“14 ditët janë të nevojshme për të parë nëse shfaqen simptomat, por shumë njerëz janë më pas ende pozitivë, prandaj për sigurinë e të gjithëve zgjasim periudhën. Ideja është që të vendosim për 28 ditë”, tha Gallera në një konferencë për shtyp.

Për ata që janë në karantinë dhe janë pozitivë do të mund të kthehen në punë më 3 maj, data kur vendi mund të kalojë në fazën 2, ndërsa ata që dalin pozitivë pas kontrolleve të mëtejshme, do t’u jepet një leje e justifikuar për të munguar në punë për 4 javë.

Por përse u mor ky vendim?

Arsyet lidhen me një nga çështjet më komplekse të virusit: sa kohë je ‘i infektuar’ dhe kur shfaqen antitrupat që të garantojnë mundësinë për të mos u infektuar më?

Sipas disa ekspertëve, zhvillimi i një përgjigje të antitrupave në përgjithësi kërkon 7-10 ditë duke filluar nga momenti i infeksionit. Por për momentin nuk ka teste që të kuptohet nëse antitrupat e zhvilluar janë të mjaftueshëm për të “neutralizuar” virusin dhe për sa kohë.

Udhëzimet e Istituto Superiore di Sanità tregojnë se një person i cili është pozitiv, asimptomatik ose i kuruar nga simptomat, duhet të testohet me një tampon, për të verifikuar se është shëruar jo më parë se 7 ditë, nëse është akoma pozitiv, ai duhet të testohet përsëri pas 7 ditësh të tjera. Pasi analiza të rezultojë negative, tamponi duhet të përsëritet pas 24 orësh: vetëm në këtë pikë pacienti me të vërtetë mund të shpallet i shëruar.

Pas 14 ditëve të izolimit në shtëpi (që është periudha e inkubacionit të virusit brenda së cilës zakonisht shfaqen simptomat) nuk dihet nëse këta persona kanë kontraktuar virusin që mbetet asimptomatik apo nëse mund ta transmetojnë tek të tjerët. Gallera sqaroi se shumë njerëz rezultojnë akoma pozitivë edhe pas 14 ditëve të përcaktuara deri më tani për karantinën.

Një hulumtim i publikuar disa javë më parë nga British Medical Journal zbuloi se 73% e infeksioneve ndodhin kur personi që nuk shfaq simptoma është në periudhën e inkubacionit, veçanërisht në tre ditët e fundit të 14 ditëve “të famshme”./ Burimi Corriere