Histori Atë që filmi i famshëm nuk e thotë: Robert Oppenheimer ishte komunist...

Atë që filmi i famshëm nuk e thotë: Robert Oppenheimer ishte komunist dhe patriot i Amerikës

Nga Gregg Herken*, Time

Filmi i suksesshëm i regjisorit Christopher Nolan, “Oppenheimer”, ka ringjallur interesin mbi fizikanin e njohur gjerësisht si “babai i bombës bërthamore”. Megjithatë, subjekti i filmit të Nolanit mbetet ende një enigmë në disa aspekte.

Për shembull, pse Robert Oppenheimer, sigurisht i jashtëzakonshëm, u thye aq papritur gjatë seancës së gjatë dëgjimore para Kongresit në vitin 1954? Pse në dallim nga Andrei Sakharov – fizikani bërthamor rus me të cilin krahasohet shpesh – Oppenheimer pas asaj seance rreshti së foluri kundër armëve të shkatërrimit në masë, të cilat ai kishte ndihmuar të krijoheshin?

“Opi” (“Oppie”) siç thirrje shkurt nga miqtë dhe të njohurit, ishte një njeri me shumë sekrete. Sekrete shtetërore, por edhe të jetës private. Por unë besoj se përgjigja për enigmën e Openhemer është një sekret që ai e mbajti të fshehur gjatë gjithë jetës së tij. Një sekret që e mori me vete në varr. Oppenheimer ishte një figurë shumë më komplekse, konfliktuale dhe e rëndësishme sesa portretizohet në filmin e Nolan.

* * *

Historianët janë gjithnjë të lumtur kur puna e tyre çon në një kuptim më të mirë të temës së tyre. Është edhe më e këndshme kur kjo punë frymëzon më pas zbulime të reja. Disa javë pasi u botua libri im mbi Oppenheimer në vjeshtën e vitit 2002, një arkivist i Bibliotekës së Kongresit mori letrën, ku ndër të tjera shkruhej: Libri i Gregg Herken “Vëllazëria e bombës,” ka rihapur çështjen nëse Oppenheimer ka qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste. Ne disponojmë disa materiale që kanë të bëjnë me këtë çështje, të cilat menduam t’ua vëmë në dispozicion historianëve të interesuar”.

Letra vinte nga fëmijët e Gordon Griffiths, dhe “materialet” që përmendeshin ishin kujtimet e pabotuara të babait të tyre: “Aventura të rrezikshme jashtë Kullës së Fildishtë: Autobiografia politike e një profesori Kolegji”. Gordon Griffiths, që vdiq në vitin 2001, ishte diplomuar në Universitetin e Berklit në Kaliforni gjatë viteve 1936-1942, kur ai shërbeu si ndërlidhës midis Partisë Komuniste të Alameda County, dhe një celule sekrete të seksionit të partisë  në kampusin e universitetit.

Përpara se të flitej publikisht për kujtimet e Grifitths, kishte ende shumë pikëpyetje mbi pikëpamjet politike të Robert Oppenheimerit para Luftës së Dytë Botërore. Siç e theksoj edhe në librin tim, Haakon Chevalier, një profesor i letërsisë franceze në Berkli dhe miku i ngushtë i Oppenheimer, pohoi se ai dhe “Opi” i përkisnin një “celule sekrete” të Partisë Komuniste në universitet nga fundi i vitit 1937 deri në fillim të vitit 1942.

Këto lloj celulash nuk merreshin me spiunazh. Përkundrazi, anëtarët e tyre takoheshin çdo dy javë për të diskutuar ngjarjet e fundit ndërkombëtare. Me raste, ata informoheshin nga një zyrtar i lartë i partisë mbi ndryshimet e fundit në dogmën komuniste. Chevalier kujton se ai, Oppenheimer dhe Arthur Brodeur – një profesor i letërsisë skandinave në universitet – i përkisnin celulës sekrete.

Chevalier, që vdiq në vitin 1985, dha detaje rreth kësaj celule në një libër me kujtime të papërfunduar që ai ia la vajzës së tij në Francë. Në të, Haakon pohon se grupi komunist i fakultetit prodhoi dhe shpërndau dy “Raporte për kolegët tanë” në fillim të vitit 1940.

Që të dyja pasqyronin “linjën e partisë” në atë kohë. Secili u shkrua ne emër të “Komitetit të Fakulteteve të Universitetit, Partia Komuniste e Kalifornisë”. Chevalier shkroi se ideja mbi ato raporte ishte e Oppenheimerit, që ndihmoi në shkrimin e tyre, dhe madje zgjodhi referenca letrare për epigramet.

Por Hakkon nuk ishte i vetmi në familjen Chevalier që shkroi mbi Oppenheimerin dhe celulën sekrete. Në kujtimet e saj të pabotuara, Barbara Lansburgh – bashkëshortja e Hakkon kur çifti jetonte në Berkli – kujtoi se pak kohë pasi Oppenheimer kishte lexuar “Kapitalin” e Marksit gjatë një udhëtimi me tren në verën e vitit 1936, ai dhe Hakon iu bashkuan një celule sekrete të Partisë Komuniste.

Po kështu, intervista ime në fillim të vitit 2000 me fizikantin Philip Morrison, më ofroi të dhëna shtesë mbi këtë celulë. Morrison kishte qenë student i Oppenheimerit në Berkli në fundin e viteve 1930. Ai kujtonte se kishte marrë pjesë në diskutimet të zjarrta politike në shtëpinë e Chevalier.

Në mesin e të pranishmëve ishin Oppenheimer dhe Arthur Brodeur. Morrison kujtoi gjithashtu organizimin e botimit dhe shpërndarjes së një pamfleti të Lidhjes së Re Komuniste në ceremoninë e Ditës së Kartës në universitet në vitin 1939. Lidhja i kërkonte Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohej kombeve të tjera – duke përfshirë “Rusinë Sovjetike, e cila e ka treguar veten të jetë forca më e qëndrueshme dhe më e vendosur për paqen në botë” – në përballjen me fashizmin.

 

Ndonëse Morrison nuk kishte më një kopje të pamfletit, ai besonte se Oppenheimer ishte autori kryesor i tij. Më pas, në bibliotekën e universitetit zbulova dy “raportet” e celulës së fakultetit dhe memorandumin e Morrisonit. E megjithatë Oppenheimer e mohoi me forcë dhe në mënyrë të përsëritur të kishte qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste apo i një njësie të saj.

Ndonjëherë mohimet e tij ishin nën betim. Atëherë kush thoshte të vërtetën, Oppenheimer apo Chevalier? Nëse është ky i fundit, atëherë Oppenheimer ka gënjyer, duke u shtirur jo vetëm gjatë pyetësorit të sigurisë që i kërkoi ushtria në vitin 1943, por edhe para agjentëve të FBI-së në vitin 1946, dhe sërish para Komisionit të Energjisë Atomike të SHBA-së në seancën dëgjimore të vitit 1954.

* * *

Kur po i jepja dorën e fundit librit tim në vitin 2001, mbeta i pasigurt se kush kishte të drejtë mbi këtë çështje. Prandaj, e trajtova pyetjen pak si Rashomon: e vërteta ishte çështje e perspektivës. Për Oppenheimerin, shkrova se celula e PK në Berkeley ishte thjesht “një klub diskutimesh politike të pafajshme e naive”.

Kujtimet e pabotuara të Gordon Griffiths më ofruan pjesën e fundit të provës dhe që vërtetonte ekzistencën e celulës sekrete të Berklit. Siç e zbulova, Griffiths zëvendësoi Philip Morrisonin si ndërlidhës i partisë me njësinë e fakultetit në vitin 1940, kur ky i fundit nisi punë diku tjetër.

Po ashtu, kujtimet e Griffiths konfirmuan se aktivitetet e celulës sekrete vazhduan të paktën deri në mesin e vitit 1941, dhe se i ashtuquajturi incidenti i Keniluort ndodhi vërtetë, pavarësisht mohimeve të Oppenheimer:

“Më kujtohet takimi që u zhvillua pas pushtimit gjerman të Rusisë më 22 qershor 1941. Stalini kishte mbajtur një fjalim radiofonik, duke i bërë thirrje popullit sovjetik që të rezistonte. Ishte një fjalim elokuent dhe ‘Opi’ e kishte sjellë tekstin e atij fjalimi në takimin tonë për ta lexuar me zë të lartë. Ai u emocionua aq shumë sa që sytë iu mbushën me lot”.

* * *

Pra nëse Oppenheimer ka qenë vërtetë një komunist sekret, duhet të shtrohet pyetja: E pastaj çfarë? Vetë Chevalier thotë se njësia u shpërbë vullnetarisht në fillim të vitit 1942, menjëherë pasi Amerika hyri në luftë. Ndërkohë Hakon e pranoi se Oppenheimer shkoi ta takojë në shtëpi në vitin 1946 për t’i rrëfyer zhgënjimin e tij të plotë me kauzën e komunizmit.

Por Chevalier thekson se në ato mbledhje nuk u diskutua asnjëherë për zhvillimet emocionuese në fizikën teorike, për informacione të klasifikuara, dhe as nuk pati ndonjë sugjerim për t’u kaluar rusëve ndonjë informacion. Pra nuk pati asgjë subversive apo tradhtare në veprimtarinë e tyre.

Ironikisht, dëshmia më e fortë se Oppenheimer nuk ka spiunuar asnjëherë për rusët, vjen nga burimet e inteligjencës sovjetike. Dokumentet e KGB-së që u publikuan pas shembjes së BRSS në fund të vitit 1991 flasin për disa përpjekje të përsëritura dhe të dështuara për të rekrutuar Opin si spiun dhe madje agjentët e Kremlinit u befasuan nga ky refuzim.

Por anëtarësimi i Oppenheimerit në atë celulë, ishte një sekret që ai ndihej i detyruar t’ia fshihte ushtrisë, FBI-së dhe Komisionit të Energjisë Atomike të SHBA-së. “Historia e gjelit dhe demit” që pranoi para oficerit të kundërzbulimit gjatë luftës, synonte të largonte vëmendjen nga fakti se atij i ishte kërkuar nga rusët që t’u kalonte sekretet e bombës bërthamore.

Edhe pse e kishte refuzuar sugjerimin e Chevalier, Oppenheimer druhej se hetimet e mëtejshme mund të zbulonin një lidhje dhe një të kaluar, të cilën ai donte dëshpërimisht ta mbante të fshehtë. Edhe pse skadimi i afatit të parashkrimit të veprës penale, e bënte të pamundur që Oppenheimer të gjykohej për gënjeshtrën që tha në vitin 1943, mundësia që anëtarësimi i tij sekret në Partinë Komuniste do të dilte në dritë, e përndoqi atë gjatë gjithë jetës.

Historia e Oppenheimer është dëshmi se Lufta e Ftohtë dhe Frika ndaj të Kuqve, lanë gjurmë të pashlyeshme në këtë vend, pasojat të cilat ndjehen ende sot. Fantazma e drejtorit legjendar të FBI-së J. Edgar Hoove, që e barazoi komunizmin me tradhtinë kombëtare, na përndjek ende.

Pika e rëndësishme, thekson Griffiths, ishte se ndërsa Robert Oppenheimer ishte një komunist i fshehtë, ai ishte gjithashtu një amerikan besnik, gjithmonë. Si i tillë, Oppenheimer ishte dikush që drejtori i FBI-së Hoover dhe senatori Joe McCarthy këmbëngulën kategorikisht se nuk mund të ekzistonte: një komunist amerikan që ishte gjithashtu një patriot.

*Gregg Herken, profesor i historisë në Universitetin e Kalifornisë, SHBA.