Kryesore Atentati/ Gazetari: Rraja ka lidhje me grupin rival të Rumit. Zv/ministri sqaron...

Atentati/ Gazetari: Rraja ka lidhje me grupin rival të Rumit. Zv/ministri sqaron ndalimin

Gazetari i Tv Klan Spartak Koka informon se Redjan Rraja që është arrestuar si një nga atentatorët e dyshuar ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremit, dyshohet se ka lidhje të ngushta miqësore me një grup kriminal në Durrës.

Sipas gazetarit, Redjan Rraja ka miqësi me një grup që është rival i Pëllumb Muharremit (i njohur si Rumi) në qytetin bregdetar.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Spartak Koka theksoi se prova e deritanishme që mban të ndaluar Redjan Rrajën, është gjurma e gishtit.

“I është gjetur një gjurmë gishti në pjesën e pasme të automjetit, e cila provon lidhjen e këtij personi me automjetin. Gjurmët e gishtit janë dokumentuar pas arrestimit të tij në datën 1 Maj 2016 si i akuzuar për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës në ngjarjen ku u vra Elton Çiço. Ai është arrestuar ditën e djeshme në doganën e Hanit të Hotit në tentativë për të kaluar. Ka patur një urdhër kërkimi policor në të gjitha pikat kufitare. Ai ka pretenduar se po shkonte drejt Italisë dhe është sjellë në Tiranë. Në deklarimin e parë ai ka thënë që s’ka lidhje me ngjarjen dhe me vrasjen. Por ajo që është e rëndësishme është fakti i gjurmës së gishtit. Ajo që është e rëndësishme për ta lidhur Redjan Rrajën si një prej atentatorëve, janë provat biologjike që janë gjetur tek maska. Automjeti është vjedhur në qytetin e Kamzës muaj më parë. Ajo që dyshohet është që Redjan Rraja të ketë lidhje të forta miqësore dhe shoqërore me një prej grupeve rivale të Pëllumb Muharremit në qytetin e Durrësit. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me pronat por të jetë bërë si hakmarrje e një ngjarje të ndodhur gjatë këtij viti në qytetin e Durrës në fillim të këtij viti”.

Spartak Koka bëri me dije se grupi hetimor ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

“Dyshimet për të cilat po punohet janë dhe dy persona të tjerë të identifikuar dhe ne rezervohemi që mos të prishim hetimin”.

Zv/ministri sqaron ndalimin e Rrajës: Me urdhër prokurori

Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, deklaroi këtë të martë se në ditët në vijim pritet që të qartësohet roli i Redjan Rrajës, personit të ndaluar në lidhje me atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, Hodaj tha se rezultatet që ka prodhuar deri më tani hetimi ndaj këtij rasti është premtues. Hodaj sqaroi se Rraja është ndaluar me urdhër prokurori, çka tregon se ka prova mjaftueshëm që kanë çuar deri në ndalimin e tij.

Julian Hodaj: Ajo që policia ka deklaruar pak a shumë që është një personat e përfshirë. Roli mbetet akoma për t’u qartësuar dhe do të qartësohet besoj në ditët në vijim. Ka një grup prokurorësh që udhëheqin hetimin. Pas 3 ditësh doja të thoja që rezultatet janë deri diku premtuese duke pasur parasysh ecurinë e hetimeve në raste të ngjashme kalon edhe më shumë kohë para se të ketë një rezultat konkret. Ajo që thotë policia thotë që në rastin konkret kemi një nga autorët e përfshirë.

Blendi Fevziu: Policia është e bindur që ky është një nga autorët?

Julian Hodaj: Policia është e bindur se përndryshe nuk do e kishte bërë ndalimin.

Blendi Fevziu: Mbi bazën e provave shkencore?

Julian Hodaj: Mbi bazën e provave shkencore. Të sqarojmë diçka se thatë që bëhet fjalë për arrestim. Nuk bëhet fjalë për arrestim, bëhet fjalë për një ndalim me urdhër prokurori dhe do të vlerësohet më pas në gjykatë dhe eventualisht do të kërkohet një masë sigurie. Fakti që prokurori lëshon një urdhër ndalimi pra nuk është me iniciativë do të thotë që ka prova shkencore mjaftueshëm dhe bindëse që është i përfshirë. Provë shkencore është gjithçka që provohet shkencërisht. Mund të jetë një dokument, një foto, një filmim, një gjurmë gishti, ADN-ja. Brenda 48 orësh prokurori paraqet kërkesën për vlerësimin e masës, gjykata ka 48 orë në dispozicion për të vlerësuar masë e sigurisë.