Aktualitet Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj/ Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe i...

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj/ Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe i kërkuari i drejtësisë Shkëmbi

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Abu Dabi” është kapur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i kërkuari i drejtësisë, 39-vjeçari Amar (Dritan) Shkëmbi, pjesëtar i një grupi kriminal.

GJKKO i ka caktuar 39-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.

Arrestimi i tij lidhet me ngjarjen e vitit 2019, ku në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri ish-prokurori Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Arjan Ndoj i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 persona të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shoferi i prokurorit Andi Maloku dhe ka mbetur i plagosur ish-prokurori Arjan Ndoj.

Më herët, me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK bëri të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.

Në rolin e qitësit, SPAK thotë se ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në makinën e përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen.

Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 6 prej të cilëve u arrestuan.

Të arrestuar:

Bashkim Haxhija

Marsel Decka

Endrit Sinani

Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku

Juljan Pjetri

Amar (Dritan) Shkëmbi

Në kërkim:

Plarent Dervishaj

Julian Meçaj

Ramazan Rraja