Bota Australia nxjerr ushtrinë në rrugë, zgjatet me një muaj izolimi

Australia nxjerr ushtrinë në rrugë, zgjatet me një muaj izolimi

Australia ka vendosur të nxjerrë ushtrinë për të zbatuar masat kufizuese që janë vendosur për shkak të përhapjes së variantit Delta të Covid-19.

BBC raporton se ushtria do të dalë në Sidnei për të mbikëqyrur zbatimin e masave. Në qytetin prej 5 milionë banorësh, qytetarët janë urdhëruar që të qëndrojnë në shtëpi në kuadër të masave të reja shtrënguese nga përhapja e variantit Delta.

Në 5 javët e fundit, Australia ka raportuar numër të lartë të të infektuarve. Akoma më të rrepta janë kufizimet në periferi të Sidneit, duke përfshirë testimin e detyrueshëm dhe vendosjen e maskës në rrugë dhe ambiente të tjera.

Duke filluar nga dita e hënë, rreth 300 trupa të ushtrisë do t’u bashkohen forcave të policisë për të monitoruar qytetarët në zbatimin e rregullave, si dhe për t’u siguruar që personat e infektuar qëndrojnë të izoluar në shtëpi.