Aktualitet Autobusi i Unazës dhe makina u përplasën dhe ranë në Lanë, policia:...

Autobusi i Unazës dhe makina u përplasën dhe ranë në Lanë, policia: Dy të plagosur

Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar mbi ngjarjen e pazakontë që ndodhi mbrëmjen e kësaj të premteje në Tiranë. Kështu sipas policisë ishte ora rreth 20:10, kur në afërsi të Kinema Agimi ky autobus i linjës së Unazës u përplas me një automjet. Për pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin dhe ka rënë në Lumin Lana.

Nga ky aksident policia thotë se të lënduar kanë mbetur dy personat që ndodheshin në makinë. Sa i përket pasagjerëve që ndodheshin në Unazë, nuk raportohet për të lënduar.

Siç mund të shihet edhe në video më poshtë, pamjet janë gati të pabesueshme. Makina ka rënë përmbys në Lanë, ndërsa autobusi qëndron mbi të. Dy rrotat e automjetit mund të shihen në ajër.

Policia tha se ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti. Dyshimet e para janë se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë një parakalim i gabuar nga ana e makinës së përfshirë në aksident.