Kulturë Aventura Alketa Vejsiut në Saremo sipas një gazetari shqiptar në Itali

Aventura Alketa Vejsiut në Saremo sipas një gazetari shqiptar në Itali

Nuk e njoh Alketa Vejsiun personalisht e nuk e kam takuar kurrë. Madje pohoj që deri në Festivalin e 70-të të Këngës Italiane në Sanremo, nuk e kisha parë as në foto e nuk kisha ndjekur ndonjë program të saj televiziv. Kështuqë kureshtja ime u bë tejet e madhe kur dëgjova se në një nga mbrëmjet e këtij festivali, përkrah drejtorit artistik dhe prezantuesit të festivalit, Amadeus, do të ishte edhe një prezantuese shqiptare, e suksesshme dhe shumë e njohur në mediat e vendit tim.

Festivalin e Sanremos e ndjek që në vitin 1972, pa humbur asnjë edicion. Ndaj e di jo vetëm rëndësinë, por edhe madhështinë artistike të këtij eventi, që këtë vit transmetohej edhe në mondovision. Siç e di se sa e vështirë është edhe rruga për të arritur në skenën e teatrit “Ariston”.

Si shqiptarë të emigruar prej shumë vitesh na kanë mbushur me krenari suksese të artistëve shqiptarë si Anbeta Toromani, Kledi Kadiu e i këngëtarëve si Elsa Lila e valltarëve të tjerë që jetojnë e punojnë në Itali. Padyshim krenaria më e madhe ishte suksesi i këngëtarit Ermal Meta, që jo vetëm ka fituar Festivalin e Sanremos, por edhe ka përfaqësuar Italinë në Eurosong.

Dhe ja, këtë vit, një tjetër surprizë e bukur shqiptare në Festivalin e Sanremos, prania e gazetares dhe shoëgirl me emër, Alketa Vejsiu. E këtu dua të ndalem. Sepse nuk bëhet fjalë për një prani si figurante apo valletta, por si një prezantuese aktive, dinjitoze e me një shkallë të lartë profesionaliteti.

Që në zbritjen e shkallëve, mënyrën elegante të përshëndetjes ndaj publikut, ecjen me natyrshmëri në skenë, mund të thuhet pa hezitim që ajo e zotëroi atë tempull të këngës italiane, duke u sjellë si të ishte në pallatin e kongreseve në Tiranë e duke kapërcyer atë trysni emotive që skena e Sanremos u imponon edhe atyre që kanë marrë pjesë 10 apo 12 herë në atë festival. E ndiqja me shume vëmendje tek fliste, me një lirshmëri e shpejtësi që mahniti edhe Amadeus, por që zgjoi një vlerësim të veçantë jo vetëm të publikut, por edhe të gazetarëve italianë në komentet e tyre. Zgjedhja e përkortë e fjalëve dhe saktësia në të folur, shkalla e njohurisë së kulturës, këngës dhe këngëtarëve italianë të cilët i citonte si të ishte rritur me ta, njohja e detajeve të sallës e të pjesëmarrësve të saj bëjnë pjesë në profesionalitetin e saj si gazetare dhe si prezantuese. E pavarur nga teksti dhe kartoni që mbante në dore, ajo fliste lirshëm, shpesh herë edhe duke improvizuar. Monologu i saj ishte i goditur dhe prekës me fjalë mirënjohjeje ndaj Italisë që ka mirëpritur mbi 520 mijë emigrantë shqiptarë, por edhe me një ndjenjë të ligjshme krenarie për atë çka kanë arritur emigrantët shqiptarë në Itali. Ruajtja e sensit të masës evidentonte më së miri natyrën e saj dhe profesionalitetin e lartë. E them me bindje që ajo nuk ka pse t’u ketë asgjë zili dy gazetareve të njohura të RAI-t Emma D’Aquino e Laura Chimenti që gjithsesi luanin në shtëpinë e tyre përkrah Amadeus, apo gazetares së mirënjohur palestineze famoze në botë, Rula Jebreal që pati një paraqitje shumë të lartë në natën e parë të Festivalit. Kjo i bën nder emrit të saj si profesioniste, por na bën krenarë edhe ne si bashkatdhetarë të saj, që nga ekrani italian ndiqnim edhe pak Shqipëri. Madje mund të shtoj që mbase asnjë nga koleget e saj nuk mban mbi shpatulla 3 master të ndryshëm. Alketa flet lirshëm 3 gjuhë të ndryshme e kjo e ka bërë të plotë në figurën e saj, në kulturën e saj si intelektuale, në profilin e saj artistik.

E rezervuar në masën e duhur, ajo tregoi edhe aftësitë e saj si shoëgirl, duke kënduar vetë një pjesë të këngës “Una lacrima sul viso” e pastaj në duet me të mirënjohurin Bobby Solo.

Alketa Vejsiu ishte përkrah Amadeus bashkë me bukuroshen spanjolle Georgina Rodriguez, e fejuara e kampionit të futbollit, Cristian Ronaldo. Por ndonëse bukuroshja tregoi thjeshtë bukuri fizike, duke e ekspozuar me bollëk dhe njëfarë simpatie në komunikimin e saj me Amadeus e në angon argjentinase, bashkëatdhetarja jonë vuri në plan të barë bagazhin e saj kulturor e profesional, ndjeshmërinë njerëzore, e me delikatesë, edhe bukurinë që e ka jo me pakicë. Përsa i përket look-ut, nuk jam specialist i modës, por personalisht do të kisha preferuar të mbante më gjatë atë fustanin e kuq, i cili e prezantonte më mirë se sa atë me ngjyrë rozë, që ishte pak si nga bota e përrallave. Por fundja le të themi nga bota e ëndrrave, sepse ajo po kurorëzonte ëndrrën e saj për të qenë prezantuese programi në Sanremo.

Të gjithë këta përbërës në paraqitjen e Alketës, padyshim që na bëjnë krenarë si bashkëatdhetarë të saj dhe i urojmë me gjithë shpirt suksese të reja dhe shkallë të reja në karrierën e saj profesionale.

Kam ndjerë keqardhje, madje edhe pak turp tek lexoja disa komente keqdashëse, deri edhe me fjalë fyese e banale të disa bashkëatdhetarëve,në një kohë që plot italianë shkruanin me simpati e vlerësim për Alketën. Por në fund të fundit Alketës i mbetet aureola e suksesit, kurse banaliteti u mbetet atyre që shprehen në atë mënyrë

Ndue Lazri

Gazetar, Bolonjë