Ekonomi Balluku: Mbrojtëm qytetarët nga kriza energjetike, në 2023 nisim me gazifikimin

Balluku: Mbrojtëm qytetarët nga kriza energjetike, në 2023 nisim me gazifikimin

Gjatë vitit 2023 do të nisë puna për gazifikimin e Shqipërisë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se ky projekt i rëndësishëm do të nisë nga qyteti i Korçës.

“Do kemi gazifikimin e Shqipërisë. Kemi hedhur hapa të rëndësishëm. Kemi arritur në një moment ku 2023 do realizohen disa projekte të rëndësishme. Do e nisim me Korçën dhe Fieri do jetë i dyti”, bëri të ditur Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal gjithashtu tek situata energjetike duke përmendur projektet e rëndësishme në këtë sektor, pavarësisht situatës së vështirë që ky sektor po kalon dhe që ka impaktuar të gjitha vendet.

“Me punën e mirë që u bë me kaskadën e Drinit, duke optimizuar rezervën energjetike dhe depozitimin e energjisë, ja kemi dalë që të mbronim qytetarët, 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë dhe 172 mijë biznese të vogla”, tha Balluku.

Ministrja sqaroi gjithashtu se gjatë vitit 2022 janë “subvencionuar familjet që kanë vendosur panele diellore, 2 mijë familjet e parë. Gjatë 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të shkoi në 20 mijë”.