Aktualitet Grabitën mbi 500 mijë euro, Havier Dobi letër të atit: Mamit nuk...

Grabitën mbi 500 mijë euro, Havier Dobi letër të atit: Mamit nuk do ia fal kurrë, më nxirr nga burgu

Rozerta Dobi dhe Havier Dobi, të akuzuar për grabitjen e mijëra eurove në shtëpinë e zyrtares, kanë dalë paraditen e sotme para gjykatës. Pas hetimeve të kryera, Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me Burg” për të dy të akuzuarit.

Brenda sallës së gjyqit, 49-vjeçarja Rozeta Dobi ka dalë e përlotur para trupës gjykuese, ndërsa i biri, Havieri, duket më i qetë.

Ndërkohë, Havier Dobi i ka dërguar një letër babait të tij. Në të ai i kërkon që i ati të bëjë gjithçka për të nxjerrë nga burgu. Po ashtu ai thotë se nuk do ia falë kurrë nënës së tij veprimin e bërë.

“Babi im i dashur jam shumë mirë mos u bëj merak, duhet të jesh shumë i qetë. E mora letrën që më kishe mu mbushën sytë me lot. Mu shkatërrua zemra. Të lutem, të lutem me zemër që të bësh gjithçka më nxjerrësh të lutem. Jam bërë si mos më keq nuk e dua veten time, më vjen të vras veten po të lutem bëj çdo gjë nuk rri dot më, dhe mamit nuk do ia fal kurrë këtë gjë, kurrë. Mos u bëj merak. Ju dua shumë ty babin dhe Ilirën do dal vetëm për ju”, thuhet në letër.

Fillimisht u zbulua vjedhja e 120 mijë eurove, ndërsa më pas nga përgjimet në dhomën e paraburgimit në Tiranë u zbulua edhe fshehja e më shumë se 400 mijë eurove, 8500 dollarëve dhe sendeve me vlerë të fshehura në tubin e aspiratorit.

Por për këto 400 mijë euro, ende nuk ka një autor, vetë Klosi ka deklaruar se shifra që ajo posedonte ishte 120 mijë euro. Në total, së bashku me sendet me vlerë dhe bizhuteritë kapin shifrën e mbi 500 mijë eurove pa vlerën e florinjve të sekuestruara.