Kryesore Balluku takon Escobar: Shqipëria e fokusuar në përmbushjen e angazhimeve në rajon....

Balluku takon Escobar: Shqipëria e fokusuar në përmbushjen e angazhimeve në rajon. SHBA garanton mbështetje

Qeveria Shqiptare është plotësisht e fokusuar në përmbushjen e angazhimeve të marra, si dhe rolin e rëndësishëm që mban sa i takon zhvillimeve në rajon. Ky ishte mesazhi i përcjellë nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë takimit që zhvilloi në Uashington me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takimin e zhvilluar mes tyre, Balluku dhe Escobar diskutuan mbi një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimet e fundit në rajon dhe mbi rolin që duhet të ketë Shqipëria në gjithë këtë situatë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zëvendëskryeministrja Balluku shprehet se Escobar, i cili është një ndër njohësit më të mirë të rajonit tonë në Departamentin e Shtetit, së bashku me skuadrën e tij, shprehu gadishmërinë për të ofruar ndihmën e tyre në zgjidhjen e situatës, si dhe vendosmërinë për mbarëvajtjen e reformave dhe proceseve jetësore për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Uashington- Në Departamentin e Shtetit takova Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ku diskutuam për një sërë çështjesh kritike për rajonin, për aktualitetin e ditëve të fundit dhe mbi të gjitha për rolin e rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Rama po luajnë në këto momente vendimtare. Escobar mbetet një nga njohësit më të mirë të rajonit pranë Departamentit të Shtetit. Ai dhe skuadra e tij janë të gatshëm të ndihmojnë në zgjidhjen e situatave dhe mbarëvatjen e reformave dhe proceseve jetësore për vendet e Ballkanit Perëndimor. E sigurova që Qeveria Shqiptare është e fokusuar plotësisht për përmbushjen e angazhimeve të marra dhe mbi të gjitha jemi koshient për rolin e rëndësishëm që duhet të luajmë në rajon dhe shembullin e mirë që duhet të japim”, shkruan Balluku.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka zhvilluar disa takime të rëndësishme, si dhe ishte pjesëmarrëse në Konferencën mbi Bashkëpunimin Rajonal për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga Lidershipi Transatlantik dhe Këshilli Atlantik.