Bota I nxehti ekstrem në Europë: Italia lëshon alarmin e kuq në 15...

I nxehti ekstrem në Europë: Italia lëshon alarmin e kuq në 15 qytete

Alarmi i kuq është lëshuar në 15 qytete të Italisë pasi vapa ekstreme vazhdon të prekë Europën Jugore. Alarmet, të cilat tregojnë rrezik dhe për njerëzit e shëndetshëm, zbatohen për pikat e nxehta turistike duke përfshirë Romën, Firencen dhe Bolonjën.

Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e prekura nga alarmi i kuq që të shmangë rrezet e diellit direkte nga ora 11:00 deri në orën 18:00 dhe të kujdeset veçanërisht për të moshuarit ose personat vulnerabël.

Javën e ardhshme pritet që të arrijnë temperatura rekord në Europë me afrimin e një vale tjetër të të nxehtit. Agjencia Europiane e Hapësirës thotë se pritet që Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia të përjetojnë një të nxehtë ekstrem.

Temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Europë ishte 48.8 gradë Celsius në Siçili në Gusht 2021, dhe parashikimet thonë se nivele të ngjashme mund të arrihen këtë javë.

Edhe Shqipëria është prekur këtë javë nga vala e të nxehtit ekstrem me temperatura që kanë arritur në maksimumet e tyre në 40°C.