Është mbyllur në barazim ndeshja e parë eliminatore e kampionëve të Shqipërisë, Partizanit përballë azerëve të Karabak. Mes një shiu të dendur, ndeshja në “Selman Stërmasi” nuk prodhoi asnjë gol nga të dyja krahët edhe pse rastet i patën të dyja skuadrat. Karabak në të parën dhe Partizani në të dytën arritën të tronditin portën, por vetëm kaq, pa mundur dot të çojnë topin në rrjetë.
Pjesa e parë do të ishte më e mirë për miqtë, të cilët i shkuan afër golit disa herë. Karabake pati rastin perfekt në minutën e 20’, ku goditi traversën. Partizani nga ana tjetër ishte disi nën presion në minutat e para dhe vetëm në fundin e pjesës së parë e mori veten. Por në pjesën e dytë skuadra e Franko Lerdës ishte me një tjetër mentalitet në fushë. Për Partizanin rasti më i pastër për gol ishte në minutën e 50’, kur Çinari gjeti traversën. Disa raste të pastra për gol dhe një stil më sulmues e bënë më të rrezikshëm Partizanin në 45 minutat e dyta, por sërish pa mundur dot të jetë konkret.
Me këtë barazim të bardhë pa gola, gjithçka mbetet të vendoset në Azerbajxhan. Ndeshja e dytë do të luhet pas një jave, aty ku Partizani duhet të fitojë ose të paktën të marrë një barazim me gola në mënyrë që të kalojë në raundin tjetër.