Opozita Basha: Do t’i bindim aleatët për masakrën zgjedhore

Basha: Do t’i bindim aleatët për masakrën zgjedhore

Këtë të enjte, Lulzim Basha u ndal në Kavajë, Rrogozhinë dhe Njësitë 15 dhe 16, nga ku u shpreh se do të përgatitet një platformë, së bashku me aleatët, për të rikthyer demokracinë në vend.

“Ndaj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre. Jeta e gjithsecilit prej nesh, e gjithsecilit prej atyre që përfaqësonin këtu demokratët e Kavajës, e qytetarëve, bashkëqytetarëve tuaj shënohet nga momente të veçanta dhe unë besoj se ky është një nga ato momente të veçanta kur na duhet të marrim vendime të mëdha. Padiskutim këto kanë qenë vite të vështira, nuk kanë qenë vite as privilegjesh e as përkëdhelje, as për mua dhe lidershipin tim, por as për ju dhe ju jeni vetë dëshmitarë e kësaj që po them sepse keni qenë bashkëshoqëruesit e bashkëluftëtarët e këtyre sakrificave.

Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë  për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin”, u shpreh Basha.