Politika Basha i shmanget “sherrit” Rama-Meta

Basha i shmanget “sherrit” Rama-Meta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu shmang debatit të ditës, duke mos komentuar përplasjen Rama-Meta në lidhje me refuzimin e Presidentit për të mos dekretuar as shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe as emërimin e Gent Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme.

Në vend të kësaj, Basha u ndal tek situata në rrugët e vendit si pasojë e motit të keq, protesta e studentëve dhe tenderi për Unazën e Re.

“Në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore, kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë ato me pushime luksi. Unë i bëj thirrje prokurorisë që të nisë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksa paguesve shqiptar që kanë përpirë këto kompani, dhe të marrin përgjegjësi. Këto para duhet t’u rikthehen taksapaguesve”, deklaroi ai.

Për protestën e studentëve denoncoi hyrjen e policisë në ambientet universitare.

“Jemi i vetmi vend në Europë dhe Botë ku policia është futur në ambjente universitare ku studentët po protestojnë më ligj. Ligji për arsimin e lartë e thotë qartë se ndërhyrja e policisë bëhet me kërkesë të titullarit cenimi i paprekshmërisë ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi”, vijoi ai.

Sa i takon tenderit për Unazën e Re, kreu i PD-së kërkoi që jo vetëm loti i parë, i fituar fillimisht nga kompania DH Albania, por edhe dy lotet e tjera të fituara nga Salillari dhe Victoria Invest duhet të anulohen. Sipas tij, kriteret për të fituar këto tendera kanë qenë qesharake.

Për të trija këto tema, Lulzim Basha kërkoi nga prokuroria që të hetojë, ndërsa paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama.

“Të ndalë represionin ndaj studentëve, ndal dhunën psiqike e fizike ndaj tyre. Çdo shtyrje e mëtejshme në këtë drejtim do të shtyjë vendin në konflikt civil’, tha ai.