Ekonomi Basha: Me taksën e sheshtë 9% do të konsolidojmë shtresën e mesme

Basha: Me taksën e sheshtë 9% do të konsolidojmë shtresën e mesme

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka treguar sot një tjetër detaj nga plani i ekonomik i opozitës që do të zbatohet kur ajo të vijë në pushtet. Në postim në mediat sociale, Basha shkruan se taksa e sheshtë 9% e propozuar nga Partia Demokratike është shtylla kurrizore për një ekonomi të shëndetshme.

“Taksa e sheshtë 9% është një rrugë përmes së cilës ne do të konsolidojmë shtresën e mesme të shoqërisë. Ajo është shtylla kurrizore e një ekonomie të shëndetshme dhe të qëndrueshme në qytet dhe fshat. Kjo është vetëm një nga mënyrat se si do të fuqizojmë të gjithë ata që punojnë. Puna dhe mundi juaj nuk duhet të mbitaksohen. Përkundrazi, sa më shumë para në xhepat tuaja, aq më mirë për ekonominë tonë. Këto 7 vite, qeveria Rama ka rritur taksat më shumë se çdo qeveri tjetër më parë, duke i keqmenaxhuar dhe shpërdoruar ato si asnjëherë më parë”, shprehet Basha.

Numri një i opozitës shprehet se Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje, shqiptarët duan mbështetje dhe lehtësi fiskale nga shteti, dhe jo një qeveri arrogante, që ju nxjerr vetëm pengesa. “Ne do e rishikojmë të gjithë paketën e taksave aktuale për t’ia lehtësuar procedurat bizneseve dhe investitorëve vendas dhe të huaj. Unë e di që do na duhet të marrim vendime të rëndësishme dhe ne do t’i marrim ato së bashku”, shton ai.

Në fund kreu i partisë demokratike shton se “qëllimi ynë është që të kemi një shoqëri të qëndrueshme, me një shtresë të mesme solide në zemër të saj dhe me institucione që ju shërbejnë qytetarëve dhe jo partive”.