Bota Udhëtoi në 3 shtete brenda ditës, Trump: Ju duhet një president energjik,...

Udhëtoi në 3 shtete brenda ditës, Trump: Ju duhet një president energjik, “gjumashi Joe” rri në bodrum

Presidenti amerikan Donald Trump është tallur me rivalin e tij Joe Biden, duke e konsideruar veten me më shumë energji për shkak të axhendës së tij të ngarkuar gjatë fushatës presidenciale.

Ditën e premten, Trump zhvilloi katër takime fushate në tre shtete të ndryshme, ndërsa Biden nuk bëri asnjë.

Trump e sulmoi të nominuarin demokrat duke i thënë turmës në Virginia se ‘Gjumashi Joe’ ishte ‘në bodrumin e tij’.

“Kam përballë dikë që qëndron në bodrumin e tij gjatë gjithë ditës dhe unë po bëj këtë“, deklaroi Trump pasi ai përshkoi vendin, citon Daily Mail.

“Ky djalë merr katër ditë pushim. Duhet të kesh një president që do të lodhet shumë fort për këtë vend. Ju duhet një president shumë energjik“.

Trump vazhdoi: “Nuk e di. Nëse ai fiton, unë do të jem shumë në siklet. Unë do të them: Jezus, unë kam punuar kaq shumë dhe ai nuk ka punuar fare”.