Kryesore Basha: Ne jemi PD, partia pro amerikane, e shkuara nuk na ndal

Basha: Ne jemi PD, partia pro amerikane, e shkuara nuk na ndal

Ndërsa në stadiumin Air Albania është duke u mbajtur kuvendi i Partisë Demokratike, nga selia e kësaj partisë, kreu Lulzim Basha mbajti një fjalim në ditëlindjen e 31-të të partisë më të madhe opozitare në vend.

Basha u shpreh se PD është parti pro amerikane me vlera perëndimore dhe e shkuara nuk do t’i ndalë në misionin e tyre.

“Nuk jam unë një udhëheqës që kërkon ndjekës, por jemi udhëheqës që frymëzojnë udhëheqës. Kjo ditëlindje e 31 na gjen zemërthyer sepse duhet të kalonim edhe një sprovë pas kaq shumë sprovash, por edhe tillë është rruga drejt vlerave dhe nuk mund të jetë ndryshe edhe rruga jonë. Ne do ta kalojmë këtë sprovë sepse jemi të bashkuar. Ne jemi vlerat e perëndimit, ne jemi PD, pro amerikane, parti e vlerave të perëndimit. Çdo përpjekje për ta ndalur këtë rrugë është dhe duhet të jetë e shkuara. Sot, ne jemi dhe unë jam këtu për të konfirmuar. E shkuara nuk do të na pengojë në misionin tonë të Shqipërisë”, tha Basha.

Sakaq, Basha theksoi se “hijet e të kaluarës nuk duhet t’ju turbullojnë, kulti i individi që tërhoqëm zvarrë më 20 Shkurt, nuk do të ngrihet më me asnjë emër tjetër”.

Në fund, ai bëri thirrje për pjesëmarrje në kuvendin e dytë të PD, i parashikuar që të mbahet më 18 dhjetor.

Lulzim Basha: “Ne PD do të vendosim fatin e Shqipërisë Europiane. Por nuk mund të injorojmë se përndryshe prapë do gabojmë atë se çka po ndodh aktualisht me një pjesë të familjes tonë. Ndaj dua t’i drejtohem demokratëve të zhgënjyer e t’ju them e njoh dhe e kam prekur dëshpërimin tuaj nga Tropoja në Sarandë, jemi takuar dhe kur më keni votëbesuar jo një karrige as një mandat të tretë por prirjen në betejën për përmbysjen e një qeverie që nuk ka lidhje me demokracinë, të një beteje frontale, të një beteje ku demokratët do prijnë edhe njëherë me vlera, parime, vizion dhe mbi të gjitha me motivin e vetëm për të mirën e Shqipërisë, e shqiptarëve. Interesat e tyre janë më të shenjta se gjithçka tjetër. Ndaj hijet e të kaluarës nuk duhet t’ju turbullojnë, kulti i individi që tërhoqëm zvarrë më 20 Shkurt, nuk do të ngrihet më me asnjë emër tjetër. Jam në mesin tuaj sot jo si një njeri që përpiqet të shtojë numrin e ndjekësve të tij. Detyrimi im është diçka tjetër, jo që përmes manipulimit, skemave, intrigave apo mendësisë së shkuar që mban peng akoma vendin politikën, shoqërinë, ekonominë, por përmes parimeve që kanë formësuar shoqëritë e lira të Europës, të mos bëjë atë që po tentojnë të bëjnë sot aktorët 30-vjecarë të tranzicionit, sepse po e bëra dhe unë atëherë kam vënë një tjetër mur në tullën e tranzicionit. Nuk jam për të kërkuar njerëz që më ndjekin verbërisht, por jemi të gjithë në zemrat tona udhëheqës që frymëzojnë udhëheqës që çdo shqiptar të jetë një lider i vetes së tij, i familjes së tij. Këtë ka nevojë Shqipëria, jo për një kult të ri individi.

Kjo ditëlindje na gjen zemërthyer sepse pamendueshëm duhet të kalonim edhe një sprovë, por e tillë është rruga drejt vlerave. Çdo përpjekje për të na ndalur në këtë rrugë nga përballja frontale me rrezikun që paraqet regjimi grabitqar i lindur nga masakra e 25 Prillit, është dhe duhet të jetë e shkuara. Jam këtu për të konfirmuar se e shkuara nuk mund dhe nuk do të na pengojë në misionin tonë për të ardhmen e Shqipërisë. Që nga ky moment e deri në realizimin e objektivit tonë parësor për t’i çelur rrugën europiane Shqipërisë, ne të gjithë bashkë do të vazhdojmë përpara dhe vetëm përpara. Kjo ftesë i drejtohet edhe atyre që gabueshëm kanë menduar se kjo parti e ka humbur rrugën e vetë dhe mund të tentojë rrugë të pashkelura apo se mund të tentojë të thyejë ADN-në tonë. 11 Dhjetori i sotëm është një ditëlindje e thyer për shkak të shkelmimit të një vlere, të vendosjes së interesit personal mbi interesin e demokratëve”.