Kryesore Kuvendi i Berishës shkarkon Gaz Bardhin dhe tre nënkryetarët e PD: Votim...

Kuvendi i Berishës shkarkon Gaz Bardhin dhe tre nënkryetarët e PD: Votim të fshehtë shkarkimin e Bashës

Delegatët e Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisë.

Po kështu është miratuar edhe shkarkimi i Lulzim Bashës, vendim i cili do të kalojë edhe me votim të fshehtë.

Votimi i fshehtë për shkarkimin e Lulzim Bashës, për thyerje të rënda statutore, pritet të mbahet gjatë ditës së sotme, ndërsa më 18 dhjetor pritet të ratifikohet me referendum kjo vendimmarrje.

Në të njëjtën kohë kur u mor ky vendim në Air Albania, Basha mbajti një fjalim në seli, duke u shprehur se PD është parti pro amerikane me vlera perëndimore dhe e shkuara nuk do t’i ndalë në misionin e tyre.

“Nuk jam unë një udhëheqës që kërkon ndjekës, por jemi udhëheqës që frymëzojnë udhëheqës. Kjo ditëlindje e 31 na gjen zemërthyer sepse duhet të kalonim edhe një sprovë pas kaq shumë sprovash, por edhe tillë është rruga drejt vlerave dhe nuk mund të jetë ndryshe edhe rruga jonë. Ne do ta kalojmë këtë sprovë sepse jemi të bashkuar. Ne jemi vlerat e perëndimit, ne jemi PD, pro amerikane, parti e vlerave të perëndimit. Çdo përpjekje për ta ndalur këtë rrugë është dhe duhet të jetë e shkuara. Sot, ne jemi dhe unë jam këtu për të konfirmuar. E shkuara nuk do të na pengojë në misionin tonë të Shqipërisë”, tha Basha.