Politika Basha: Nuk duam pushtet me dhunë, por betejën do ta fitojmë

Basha: Nuk duam pushtet me dhunë, por betejën do ta fitojmë

Kryetari i Partisë Demokratike e ka quajtur një marshim historik proteste tubimin e sotëm të opozitës 48 orë pas asaj që u zhvillua në 11 maj.

Me tone më të moderuara, kryedemokrati Basha tha se qeveria iu përgjigj me dhunë dhe gaz lotsjellës thirrjes së popullit dhe qytetarëve për liri, demokraci dhe drejtësi.

“Përgjigja e vetme e Ramës dhe e bandës së tij kriminale ishte dhuna, me dhunë i mori zgjedhjet, i dhunoi, ky është një kryeministër ilegjitim. Prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë Rama me kupolën e mafies, për të vjedhur votën, lirinë, mundësinë për të zgjedhur me votë, pa të cilën nuk ka mirëqenie, arsim e zhvilim”.

Basha përshëndeti protestuesit, të cilët sipas tij sfiduan edhe kushtet e këqija të motit me shi. “Rama jep llogari para krimit të organizuar. Ne e refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë, ne do t’i përgjigjemi me fuqinë e bashkimit, pjesëmarrjes dhe vendosmërinë tonë nuk e shuan dot as shiu i bekuar i Perëndisë”.

Basha theksoi se ka vetëm një mënyrë për ta rrëzuar Ramën dhe klikën e tij të korruptuar. Ai shtoi se opozita ndodhet në shesh jo për të marrë pushtetin me dhunë, por për të rikthyer vlerat e lirisë e demokracisë.

“Deri këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore dhe kjo është e vetmja mënyrë e Ramës për të mbajtur dhe marrë pushtetin. Ne nuk jemi këtu për pushtetin e mandatet, ato i dogjëm, se do jemi në krah të qytetarëve kundër dhunës. Ne jemi në këtë betejë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi e korrupsioni, për zgjedhje të lira e të ndershme, kushtetutë, ligj dhe shtetin e së drejtës.

Sipas tij “ka vetëm një rrugë që do mbarojë kjo betejë, ne duhet dhe do ta fitojmë betejën për zgjedhje të lira, për Parlamentin e qytetarët. E sotmja është një marshim proteste kundër qeverisë së bërë njësh me krimin, kundër zgjedhjeve false e të blera”.