Kryesore Basha: Propozoj të djegim mandatet parlamentare

Basha: Propozoj të djegim mandatet parlamentare

Një ditë pas protestës së opozitës në kryeqytet, kreu i saj, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat, ku falënderoi pjesëmarrësit në protestë, ndërsa deklaroi se do të propozojë djegien e mandateve të deputetëve të opozitës.

Sipas Bashës, kjo është e vetmja rrugë për të larguar Edi Ramën, që sipas tij është i lidhur me bandat e kriminelëve.

Lulzim Basha deklaroi se do të propozojë djegien e mandateve të deputetëve të opozitës.

“Dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shteti të kalbur. Dhuna, rrahja dhe helmi i qytetarëve të vjedhur ka vetëm një motiv. Ajo bëhet me urdhër të Edi Ramës. Asgjë nuk e ndal një popull të tradhëtuar dhe të braktisur kur lufton për të drejtat e tij legjitime dhe sovrane. Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit. Ju siguroj se unë e kam kuptuar shumë qartë pjesëmarrjen tuaj, mesazhi juaj është i qartë.

Kështu nuk vazhdohet më. Kupa është mbushur dhe është derdhur. Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti që ka dalë nga krimi. Ndaj jam këtu për t’ju thënë se e kam lexuar vullnetin tuaj.

Kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputetëve tanë”, tha Lulzim Basha në një deklaratë për mediat.