Sport Bayern në kaos, grushte mes Mane dhe Sane pas humbjes me City-n

Bayern në kaos, grushte mes Mane dhe Sane pas humbjes me City-n

Ndërrimi i trajnerëve, eliminimi nga Kupa dhe humbja e rëndë 3-0 përballë Manchester City në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League në pak ditë ka bërë që te Bayern Mynih të mos mbajnë më nervat. Klubi duket në kolaps të plotë sa i përket menaxhimit të situatave dhe kjo duket qartësisht nga ajo që ka ndodhur pas sfidës, pasi mediat gjermane kanë zbuluar se ka pasur grushte mes dy lojtarëve.

Sipas “Bild”, Sadio Mane nuk ka mbajtur dot nervat në mbyllje të ndeshjes dhe ka goditur me grusht në fytyrë Leroy Sane në dhomat e zhveshjes, pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit.

E përditshmja gjermane bën të ditur se shkëndijat mes dy lojtarëve nisën në fushën e lojës.

Në minutën e 83-të, kur Mane vendosi të hapej në krah në një aksion që nuk përfundoi në mënyrën e duhur, të dy futbollistët nisën të debatonin në fushë, duke shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin, pasi gjermani e kritikoi për veprimin që kishte bërë.

Gjërat nuk mbaruan aty, pasi me t’u mbyllur sfida, Mane e kritikoi shokun e skuadrës për fjalët që i kishte thënë në fushë. Ai u nervozua aq shumë saqë “i ka dhënë një goditje në buzë” Sane në përplasje e sipër mes tyre në dhomat e zhveshjeve, siç tregon “Bild”.

Lojtarët e tjerë dhe stafi teknik i Bayernit ndërhynë menjëherë që situata të mos përkeqësohej.

Tani priten masat e drejtuesve gjermanë, të cilët situata të tilla nuk i tolerojnë aspak.