Kryesore BE, shuplakë Metës: Mos vini në dyshim integritetin e diplomatëve tanë

BE, shuplakë Metës: Mos vini në dyshim integritetin e diplomatëve tanë

Zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç i ka bërë apel përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që të mos vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në një reagim, Koçijançiç thotë se BE mbështet plotësisht punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian.

Reagimi i BE-së, edhe pse nuk përmend emra konkretë, i është drejtuar presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit nisi një sulm të paprecedentë ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Deklarata e Maja Koçijançiç:

Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme. Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së.

Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë.